Analisti Branislav Kërstiq ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që euro të jetë e vetmja valutë në Kosovë e me të cilën përjashtohet dinari, i ka lënë serbët në veri të befasuar pasi nuk kanë qenë të informuar.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të mërkurën konfirmoi mbështetjen e Qeverisë për Rregulloren e re të BQK-së, pavarësisht presionit ndërkombëtar për shtyrje të ekzekutimit të vendimit. Megjithatë, Bislimi ka pranuar se në vend të masave ndëshkuese, Qeveria do të investojë në informim dhe edukim gjatë “periudhës së tranzicionit”. Rregullorja e BQK-së, që ka hyrë në fuqi nga sot, parasheh që euro të jetë e vetmja valutë në Kosovë.
Kërstiq ka thënë se serbët në veri janë në “terr informativ” për shkak se Lista Serbe ka pushtuar aktivitetet.
“Asgjë nuk është transparente nga Beogradi zyrtar. Lista Serbe ka suspendu aktivitetet e veta dhe nuk informon popullatën në veri. Mediat kontrollohen nga Beogradi zyrtar. Njerëzit janë të painformuar. Shumica janë të befasuar, nuk janë informuar. Asgjë nuk është transparente. Janë duke kuptuar që Beogradi po heq dorë nga Kosova. Në të njëjtën kohë, Beogradi po i vendos serbët kundër institucioneve të Kosovës. Është e pakuptueshme, por kjo është loja”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së, duke shtuar se çështja po shkon ashtu sikurse ajo e targave.
Sipas Kërstiqit, serbët në veri janë në një pozitë shumë të vështirë që kur u larguan nga institucionet e Kosovës me rekomandim të Beogradit.
“Janë t’u funksionu pa udhëheqje politike serbët në veri. Sot u mbyllen komunat paralele në rajonin e Pejës, asnjë reagim s’pati nga Lista Serbe. Serbët janë në një pozitë të vështirë që atëherë kur kanë pranuar rekomandimet e Beogradit për largimin nga institucionet e Kosovës”, ka deklaruar analisti serb që jeton në Kosovë.
Siç thotë ai, 20 mijë serbë janë larguar nga veriu përgjatë vitit 2023 dhe janë kthyer në Serbi.
“Ambienti në veri nuk është pozitiv”, ka shtuar Kërstiq.
Kërstiq ka thënë se mund të ketë incidente sporadike në veri, por nuk pret që të ketë “diçka të madhe”./Koha