Analisti nga Mitrovica e Veriut, Branislav Kërstiq, tha për Ekonomia Online se grupet terroriste nuk kanë të bëjnë me popullatën serbe në veri të vendit. Ai ka pasur kritika në drejtim të presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Sipas tij, i pari dje në konferencë për medie u ka hedhur fajin serbëve në veri, ndërsa Kurti po kontribuon në shtensionim të situatës me mosmbajtjen e zgjedhjeve në veri.
Ai ka shprehur habinë për hyrjen e grupeve kriminale në veri dhe ikjen e të tjerëve nga Manastiri i Banjskës.
“Ajo ke befasia më e madhe për nënshtetasit e Kosovës nga veriu. Në të njëjtën kohë kur kemi pas këtu në Banjskë një betejë, në Mitrovicë ke i pasur vetura që kanë pasur dasmë. Pra nuk flasim për rezistencën e kosovarëve me nacionalitetin serb por për një grup të organizuar të cilët me 20 vetura kanë ardhur nga Serbia. Tash kemi shumë pikëpyetje. Si ajo kolonë e ka kaluar kufirin, ku ishte policia e Kosovës? Që do të thotë se të gjithë jemi veç akterë të një shfaqje dhe ku janë ata tjerët sepse po flasim për njerëz me mbi 40 persona”, tha Kërstiq.
Teksa ka folur për konfliktin e djeshëm, Krstiq e ka quajtur “humbje diplomatike” të Beogradit në 20 vjetët e fundit.
“Tash kemi tre njerëz që kanë humbur jetën, disa të lënduar e të plagosur. Ku janë të tjerët, ku janë 25 persona. Mua më duket se ajo dje ishte një humbje e diplomacisë nga Beogradi zyrtar në 20 vitet e fundit sepse ne e kemi pasur rekomandime nga Beogradi për komunitetin serb në veri që ata me qenë të urtë dhe me u shkuar nga mbrapa. Sado që serbët kanë shkuar mbrapa, regjimi i Kurtit e ka sjellë në veri, deri në momentin që ndërkombëtarët e kanë regjistruar që regjimi i Kurtit po u shkel të drejtat serbëve në veri të vendit”, u shpreh ai.
Këtë e bazon në mosmbajtjen e zgjedhjeve, pasi sipas tij ata nuk i shërbejnë qytetarëve serb.
“Ajo ishte vërtetë. Çfarë keni nëpër komuna. Kryetarët kujt po i shërbejnë sepse ata janë të obliguar t’i shërbejnë qytetarëve e komunave përkatëse dhe kjo është paradoks”, tha Kërstiq.
Ai ka thënë se kjo situatë do ta shtyjnë edhe më tutje marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij, rasti i së dielës do ta përforcojë pozicionin e Kosovës për të dërguar më shumë policë në veri të vendit, raporton EO.
“Me siguri se po se tash e kemi edhe një përgjigje që zotëri Kurti e ka përfituar atë që Policia e Kosovës nuk është bash pa arsye në veri dhe tash e kemi edhe mundësinë që nëse dëshiron me i sjellë 5 mijë policë në veri të vendit sepse rasti i djeshit i jep të drejtë”, u shpreh ai, teksa pati edhe kritika në drejtim të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq rreth deklarimeve të djeshme në konferencë për medie.
“Nga Beogradi kemi pasur një mesazh joserioz, me të cilën i gjithë Beogradi kanë tentuar t’ua hedh fajin gjithë serbëve në Kosovë. Ai deshti t’i lajë duart e veta dhe e ka akuzuar Albin Kurtin dhe ka tentuar t’ua hedh fajin serbëve, që nuk është e vërtetë. Ne dje nuk kemi pasur rezistencë të organizuar, popullata nuk ishte me ato grupet paramilitare që sulmuan policët e Kosovës, e që mua më duket se ajo ishte një rast i organizuar nga ana e Beogradit dhe në fund ata kanë qenë veç viktima të një skenari shumë serioz dhe mua më duket se të gjitha gjërat kanë qenë të kontrolluara nga grupet e konfliktit të menaxhimit për Kosovë dhe tash jemi në duart e negociatorëve dhe jam i sigurt se do të kemi një periudhë të gjatë të paqes në veri të vendit”, u shpreh ai.