Kërthiza e problemeve ndërkombëtare

Prishtinë | 06 Tet 2025 | 15:53 | Nga Blerim Shala

Në dyvjetorin e fillimit të luftës së tmerrshme në mes të Hamasit dhe shtetit të Izraelit (lufta nisi me 7 tetor të vitit 2023), janë intensifikuar si kurrë më parë përpjekjet për arritjen e një paqeje të mirëfilltë në Gaza.

Luftërat e këtij lloji, të cilat sjellin pasoja të rënda sa i përket viktimave civile, gjithmonë përcillen me nismat diplomatike për ta ndalur atë, për ta kthyer atypari (ku zhvillohet lufta) një normalitet i cili për më shumë, duhet t’i ngjajë një rruge që do të mund të çonte në adresimin dhe në zgjidhjen e shkaqeve që sollën deri te konflikti i armatosur.

Kështu ka qenë edhe në këtë rast.

Në dy vitet e fundit kjo luftë ka transformuar në mënyrë rrënjësore Lindjen e Mesme, duke e zhbërë një realitet rajonal dhe ndërkombëtar që ishte në fuqi diku prej fundviteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Irani u forcua ushtarakisht dhe politikisht.

Lindja e Mesme është kërthiza e problemeve ndërkombëtare. Kështu ka qenë që nga shuarja e Perandorisë Osmane. Në thelb, pakçka ka ndryshuar prej viteve të njëzeta të shekullit të kaluar.

Duket që këto dy zhvillime historike të pa përmbyllura deri sot, do të mund më në fund të marrin një epilog të vetin, tani, kur tragjedia e Gazës ka marrë përmasat e paparë në historinë e re të Botës, dhe kur Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump, ka vendosmërinë evidente për të kontribuar në ndaljen e kësaj tragjedie të madhe.

Trump, në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara që të arrihet paqa në Gaza dhe në Lindjen e Mesme, ka hartuar një Plan njëzet pikësh paqeje, i cili ofron një Hartë rrugore të përgjithësuar se si duhet dhënë fund një historie mbi njëqind vjeçare të problemeve në këtë pjesë të Botës.

Si edhe në shumë raste të ngjashme, Planet e këtij lloji kanë tre kapituj kryesorë:

Atë të parin, që lidhet me kushtet e ndaljes së luftës;

Atë të dytin, që përpiqet ta definojë tranzicionin prej luftës dhe armëpushimit kah një paqe e qëndrueshme;

Atë të tretin, i cili duhet ta definojë statusin e territorit në të cilin dhe për të cilin bëhet lufta.

Në Planin e Presidentit Trump, disa elemente në këtë kontekst janë më të qarta, disa të tjera më të përgjithësuara.

Duhet shtuar këtu që Planet e këtilla domosdoshmërisht kanë në vete plot dykuptimësi, të cilat duhet t’i ndihmojnë palëve të armiqësuara që ta prezentojnë atë para qytetarëve të vet si një fitore e kauzës apo të qëllimeve primare të luftës.

Natyrisht, në këto raste a propozime, mund të ketë edhe kalkulime kur një palë llogaritë që pala tjetër nuk do ta pranojë këtë Plan, dhe që më pas do të mund të vazhdojë luftën, duke pasur me vete edhe përkrahjen ndërkombëtare të fajësimit të atij që nuk e shfrytëzoi këtë rast a mundësi të madhe.

Ka edhe shumë supozime dhe spekulime të tjera që mund t’i qepen zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme që lidhen me Planin e Presidentit Trump.

Është tej mase vështirë të jesh optimist kur vlerësohet perspektiva e paqes në Lindjen e Mesme, ku në thuaja në ciklet e rregullta për zgjedhje parlamentare shpërthejnë luftërat.

Pastaj, me kalimin e kohës, të viteve dhe decenieve, këtupari nuk ndodhë që përvoja e kaluar të shndërrohet dhe të përkthehet në maturi, kujdes dhe largpamësi. Përkundrazi. Shumë më lehtë ka qenë që pas Marrëveshjes së Oslos (1993), në mes të autoriteteve palestineze dhe Qeverisë së Izraelit, të arrihet paqja afatgjatë se sa sot.

Nga kjo perspektivë, sigurisht që mund të thuhet që aktualisht, gjasat për paqe janë më të mëdha se sa që do të jenë nesër, apo pas disa viteve.

Kalimi i kohës nuk sjell këtu më shumë mend. Por vetëm më shumë gjak, tragjedi dhe shkatërrime.

Për SHBA-në zgjidhja e kësaj krize qindvjeçare në Lindjen e Mesme, pos tjerash, do të ishte një tregues shumë i qartë i supremacisë politike, diplomatike dhe ushtarake në një rajon të rëndësisë sipërore për SHBA-në.

Diçka e tillë i duhet SHBA-së dhe Perëndimit më shumë se kurrë.

Të ngjashme