Kërveshi: Aktakuza në rastin “Pronto” me defekte

Prishtinë | 03 Jan 2020 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për rastin “Pronto”, në një reagim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, avokati Kujtim Kërveshi i ka cilësuar reagimet, persekutim ndaj gjykatësve dhe pavarësisë së gjykatës. Ai ka bërë të ditur se në këtë rast e ka mbrojtur Nijazi Kryeziun, ish-këshilltar i ish kryekuvendarit Kadri Veseli.

Më tej, Kërveshi ka thënë se aktakuza ka defekte.

“Prokuroria nuk e ka mbrojtur aktakuzën! Do të më duhet orë për t`i theksuar defektet e aktakuzës dhe mbrojtjes se saj, por do të ketë kohë dhe mundësi edhe për këto që mbeten pa u thanë këtu e që janë thanë dhe shkruar gjatë gjykimit”, ka shkruar Kërveshi. Sipas tij, ky vendim i gjykatës nuk po kontestohet nga profesionistët.

“E si mund ta gjykoni një vendim të tre gjyqtarëve profesional pa e lexuar arsyetimin e vendimit? Ky është persekutim i gjykatësve dhe pavarësisë së gjykatës! Gjykata vlerëson provat, së paku tash e më shumë se 3000 vite vlen maksima latine “para provave edhe Zotat heshtin”. Vendimi është i shkallës së parë. Drejtësia nuk bahet me gjykim politik, e gjykimi nuk bahet me pamflet politik”, ka shkruar avokati Kërveshi. Ai e ka cilësuar fjalën hyrëse të Prokurorisë pamflet politik “që i ka munguar vetëm një duar-trokitje e gjatë në këmbë si në kohën e Mao Zedong-ut”.

Të ngjashme