Këshilli Drejtues i PDK-së kërkon zgjedhje të parakohshme – Krasniqi: Kurti e ka humbur besimin e qytetarëve, Draftstatuti i Asociacionit i papranueshëm

| 03 Shk 2024 | 18:24 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka folur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, ku tregoi se është diskutuar për mobilizimin e të gjitha strukturave të partisë për zgjedhjet e ardhshme nacionale, situatën politike në vend, zgjedhjet e brendshme të partisë dhe dhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

Krasniqi tha se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme, Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet, në mënyrë që të rikthehet verdikti te qytetarët.

Sipas tij, kjo pasi “Kurti e ka braktisur besimin që ia dhanë qytetarët e Kosovës”.

“Patëm diskutime jashtëzakonisht cilësore, të hapura, përmbajtjesore dhe tepër të nevojshme për të trajtuar gjendjen në vend. Ne miratuam në përfundim të diskutimeve për tema të ndryshme përfshirë këtu edhe gjendjen aktuale politike, në mënyrë të veçantë për draftsatutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe por edhe çështje të tjera që ndërlidhen me mobilizimin e gjithmbarshëm të PDK-së si dhe zgjedhjet tona të brendshme. Miratuam një deklaratë politike. Unë jam i bindur që zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më parë”.

Krasniqi tha se kanë miratuar edhe një deklaratë ku janë dakorduar që zgjedhjet e brendshme të partisë të mbahen pas atyre nacionale që do të mbahen në vend.

“Qëndrimi i PDK ka qenë që jemi të gatshëm sa më herët të shkojmë dhe të shpërndajmë legjislaturën aktuale të Kuvendit dhe të rikthejmë verdiktin te qytetarët sepse unë jam i bindur që kryeministri Kurti e ka braktisur besimin që qytetarët ia kanë dhënë duke ndërmarrë veprime jo vetëm të gabuara por edhe të rrezikshme që kanë cënuar edhe sigurinë e vendit tonë edhe potencialin zhvillimor e integrues, por mbi të gjitha duke vështirësuar jetën e qytetarëve. Vetëm zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje dhe PDK është e gatshme. I caktuam që zgjedhjet tona të brendshme do t’i mbajmë menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi, i cili foli për Ekonomia Online dhe mediumin publik.

Ai shtoi se qëndrimi i PDK-së është se draftsatuti aktual i Asociacionit është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetuën. Krasniqi tha ky draft krijon një nivel të ri të ndërmjetëm të pushtetit duke i thënë Asociacionit kompetenca ekzekutive.

“Prej kur kemi marrë edhe tekstin e plotë të draftit të Asociacionit grupet e ekspertëve tanë dhe përfaqësuesit e PDK-së në departamentin për drejtësi kanë shqyrtuar në detaje tekstin dhe edhe në mbledhjet e kaluara të Kryesisë e edhe sot kemi ardhë në qëndrim zyrtar se drafti aktual është i papranueshëm për PDK-në. Ne nuk e mbështesim sepse rrezikon karakterin e shtetit të Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe si i tillë nëse do të miratohej, krijon një nivel të ri të ndërmjetëm të pushtetit sepse, Asociacionit i jep kompetenca të qarta ekzekutive. Kjo është e papranueshme për ne. Është në kundërshtim me qëllimet e shtetit tonë, me qëndrimet që i kemi pasur konsistente që nga viti 2013 dhe ne angazhohemi që të ketë një resetim të dialogut në mënyrë që të kthehemi aty ku edhe ka qenë edhe qëllimi ynë por edhe i partnerëve ndërkombëtarë që ndërkohë e kanë humbur ambicien që të kemi një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse që përqendrohet një njohjen reciproke”, tha Krasniqi.

“Çështja e dinarit – humbje totale e fokusit nga temat me rëndësi, si njohja ndërsjelltë”

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur rreth çështjes së dinarit, përdorimi i të cilit është ndaluar me një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Krasniqi ka deklaruar se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është krijimi i “çështjeve të reja”, për ta hequr vëmendjen nga temat e rëndësishme, siç është njohja e ndërsjelltë nga Serbia, nga çka ka hequr dorë. Sipas tij, situata është e ngjashme sikur ajo me targat.

“Ky është një vendim që ka bazë ligjore dhe kushtetuese, nuk është diçka e re, nuk ka ndryshuar asgjë, Kushtetutën e kemi miratuar në vitin 2008, pastaj ajo e ka krijuar bazamentin që mundëson përdorimin e valutës zyrtare që është euro, për çka na kanë dhënë mbështetje partnerët ndërkombëtare dhe në mënyrë të veçantë shtetet anëtare të BE-së dhe të Eurozonës″.

“Ajo që unë mendoj që ne po e humbim fokusin duke u marrë me gjëra që nuk janë qenësore, për faktin se nuk po ndodh diçka e jashtëzakonshme. Ne e kemi mundur Serbinë në luftë, e kemi shporrë ushtrinë e Serbisë prej këtu… sot po bëhet kaq e madhe një çështje ‘bën’, ‘jo nuk bën me u pranu dinari”, është humbje totale e fokusit nga temat me rëndësi”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqi, çfarëdo vendimi që merret duhet të bëhet në pajtueshmëri dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë, por jo duke hequr dorë nga ligjet e Kosovës.

“Sepse krejt çka po ndodh pastaj është krijimi i krizave të reja të qëllimshme nga ana e kryeministrit, për ta hequr vëmendjen nga temat e rëndësishme, pastaj marrje me këto kriza parciale e në fund tërheqje prej tyre dhe përfundim në procesin e dialogut”.

Sipas tij, situata është e ngjashme sikur ajo me targat. “E kishim para një viti çështjen e targave, u bë e madhe, u tërhoq (Kurti). Krejt bota na garantonte që brenda një viti targat nuk do të jenë më temë gjë që ndodhi, u hoqën. Por ne humbëm kohë. U bëmë temë qendrore, realisht e parëndësishme”.

“Kam frikë se njëjtë edhe me çështjen e dinarit që është temë krejtësisht e parëndësishme krahasuar me faktin se Kosova ka hequr dorë nga njohja e ndërsjelltë, por duket se do ta kemi temë të rëndësishme me gabimet e kësaj qeverie”, ka theksuar Krasniqi.

LEXO EDHE:

https://ekonomiaonline.com/pdk-mbledh-keshillit-drejtues-kjo-eshte-deklarata-politike-e-miratuar/

Të ngjashme