Këshilli Europian do të marrë sot vendim për të hapur negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në Samitin e Madridit që po mbahet prej dy ditësh, pritet që sot krerët e vendeve të BE-së të fusin në rend dite edhe “dosjen” e Shqipërisë.
Gazetarja e ABC raporton se presidenti francez rikonfirmoi që po punohet me orë intensive për të nisur kapitujt e parë për proceset euro-integruese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pra sipas saj, bëhet fjalë për shkuarjen përtej caktimit të një date për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. “Detajet e fundit do të precizohen në Shkup. Por sipas sinjaleve, burimet thonë se jemi shumë afër hapjes zyrtare të negociatave me Shqipërinë dhe RMV.”
Gjithashtu, gazetarja duke cituar burime nga presidenca çeke që merr kryesimin e BE-së nga e premtja, se po punohet intensivisht që të bëhet i mundur sa më shpejt takimi i ambasadorëve të përhershëm të BE, pra në fillim të korrikut.
Pak ditë më parë gjatë takimit në Bruksel, krerët e Unionit nuk arritën të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të vetos së Bullgarisë.
Ndërkohë kujtojmë se më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook një video me pamje nga punimet në samit, ndërsa janë mbledhur krerët e 30 vendeve anëtare të aleancës ushtarake që udhëhiqet nga SHBA, me fokus mbështetjen për Ukrainën.
“Mbase sot lajmi i mirë…”, shkruan kreu i qeverisë, ndërsa shfaqet duke biseduar me liderët perëndimorë dhe presidentin bullgar Rumen Radev.