Këshilli i Evropian i Investitorëve zgjedh Bordin e ri të Drejtorëve

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 12:10 | Nga

Këshilli i Investitorëve të Evropës (EIC) ka zgjedhur Bordin e ri të Drejtorëve në mbledhjen e tretë të asamblesë së përgjithshme të mbajtur dje në Prishtinë.

Bordi i ri nëntë anëtarësh do të kryesohet nga Robert Erzin, drejtor ekzekutiv i IPKO, për dy vitet e ardhshme. Zëvendës kryetar do të jetë Ilir Aliu, drejtor ekzekutiv i Procredit Bank. Albert Lumezi, drejtor ekzekutiv i Nova Ljubljanska Banka, do të jetë në krye të Thesarit, ndërsa Paul Garins, drejtor ekzekutiv i Jetoil, është sekretari i ri i përgjithshëm.

Kuvendi gjithashtu rizgjodhi Nataliya Apostolovan, Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, dhe Elena Petrovska, Shefja e Zyrës së BERZH-it në Kosovë, si anëtarë nderi të Bordit.

Këshilli i Investitorëve Evropian aktualisht përbëhet nga 22 investitorë evropian, duke u ofruar punësim direkt më shume se 5.000 personave dhe 3.000 personave të tjerë indirekt. Qarkullimi aktual i anëtarëve të EIC është 500 milionë euro, me investime në Kosovë të cilat deri më tani arrijnë shumën e 1 miliard eurove.

Duke folur në këtë rast, Znj. Apostolova falënderoi ish-kryetarin dhe Bordin e Drejtorëve për punën e tyre dhe kontributin për Agjendën për Reforma Evropiane, e cila u lansua javën e kaluar nga Komisioneri Hahn dhe kryeministri Mustafa.

“Bizneset në Kosovë përballen me mungesë të sundimit të ligjit, ekonomi joformale, mosfunksionim të gjyqësorit, vendime ad-hoc të qeverisë, mungesë të furnizimit me energji dhe me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Në të njëjtën kohë, mungesa e perspektivave ekonomike shkakton paqëndrueshmëri politike, migrim, radikalizëm dhe ndarje etnike. Ideja e themelimit të EIC ishtë krijimi i një organi advokimi i cili do të hynte në dialog konstruktiv me qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të cilat pengojnë investimet e BE-së në Kosovë, duke çuar në krijimin e më shumë vendeve të punës për njerëzit e Kosovës”, tha Apostolova.

Ministrja e Kosovës për Tregti dhe Industri, Hikmete Bajrami, ka shprehur mbështetjen e plotë për punën e Këshillit Evropian të Investitorëve dhe për bashkëpunimin në të ardhmen, veçanërisht për punën e bërë në përmirësimin e ambientit të biznesit në Kosovë.

“Përmes grupeve punuese të krijuara në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, qeveria së shpejti do të nisë një proces të ri të reformave ekonomike të hapura për të gjitha bizneset, duke përfshirë EIC, puna e të cilit në Kosovë është vlerësuar në masë të madhe”, tha ministrja Bajrami.

Kryetari i sapozgjedhur i Bordit të EIC, Rober Erzin, u shpreh se është mirënjohës dhe i nderuar për marrjen e pozitës së re.

“Unë shpresoj se ne do të forcojmë Këshillin e Investitorëve Evropian si partner aktiv dhe të besueshëm i cili dijë si t’i qaset problemeve por poashtu të ofrojë zgjidhje për një mjedis të përmirësuar të biznesit në Kosovë”.

Pjesëmarrësit po ashtu u përshëndetën nga Znj. Petrovska dhe kryetari i parë i Bordit, Emmanuel Mitsou. Asambleja e EIC falenderoi Z. Mitsou për avancimin e dukshëm të marrëdhënieve mes partnerëve të Kosovës dhe BE-së.

Këshilli i Investitorëve të Evropës (EIC) është një organizatë jo-fitimprurëse, e themeluar në vitin 2014. EIC u krijua për t’i dhënë zë investitorëve evropian me qëllim të zhdukjes së mangësive sistematike të mjedisit të biznesit dhe rritjes së investimeve të huaja direkte.

Kjo nga ana tjetër do të realizonte potencialin e Kosovës duke krijuar konkurrencë dhe kapacitet për qytetarët dhe bizneset dhe duke krijuar më shumë vende pune për Kosovën.

Të ngjashme