Këshilli i Konsulentëve të Kosovës (BCC) ka arritur akreditimin ndërkombëtar dhe bëhet organizata e dytë në botë për të ofruar trajnim dhe certifikim për konsulentët e transformimit digjital. Ky akreditim është bërë nga Këshilli Ndërkombëtar i Instituteve të Konsulencës Menaxheriale (ICMCI).
Projekti ACCESS ka mbështetur BCC-në në zhvillimin e kapaciteteve organizative që nga viti 2019 në marrjen e këtij akreditimi të njohur ndërkombëtarisht. Një grup prej 28 konsulentëve digjitalë janë trajnuar dhe certifikuar në vitit 2020 në tre fusha të transformimit digjital: e-Commerce & Rrjete Sociale, Siguri në TI, dhe Transformimi Digjital.
Ky mekanizëm do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të konsulencës në treg dhe do të rrisë nivelin e digjitalizimit si dhe do të mundësojë rritje të tregjeve dhe konkurrencës së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme brenda dhe jashtë vendit. BCC synon të jetë gjithëpërfshirëse duke trajnuar gratë për digjitalizim dhe certifikim, veçanërisht gratë e reja për të konsideruar konsulencën digjitale si një orientim në karrierë.
Ky mekanizëm i certifikimit të Shërbimeve të Zhvillimit të Biznesit është në përputhje me praktikat më të mira nga Austria. Akreditimi është përkrahur nga Programi “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare – ACCESS”, zbatuar nga ECIKS, financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC) dhe mbështetur nga Qeveria e Kosovës. Ky projekt zbaton një sërë intervenimesh lehtësuese, përballë kufizimeve sistemike të tregut të cilat pengojnë uljen e varfërisë në Kosovë. Intervenimet janë përshtatur për të nxitur ndryshime sistemike në sjelljet, aftësitë dhe marrëdhëniet e akterëve kyç të sistemit të tregut dhe për të sjellë përfitime për njerëzit që jetojnë në varfëri.
DEKLARATAT:
Harald MAHRER, President i Odës Federale Ekonomike të Austrisë (WKO)
Bota po ndryshon në mënyrë dramatike si rezultat i revolucionit digjital dhe pandemia e ka përshpejtuar këtë ndryshim. Digjitalizimi paraqet një mundësi që ekonomitë e reja, siç është Kosova, të zhvillohen me një ritëm më të shpejtë dhe të bëhen pjesë e zinxhirëve ndërkombëtarë të vlerës digjitale.
Kujtim Dobruna, drejtor ekzekutiv, ECIKS
Qëllimi ynë mbetet t’i bëjmë ndërmarrjet e Kosovës pjesë të zinxhirëve digjitalë të vlerës në Evropë.
Alfred HARL, Drejtor Menaxhues, HARL CONSULTING
Konsulentët e Kosovës kanë përfituar tashmë kualifikime të shkëlqyeshme në fushën e IT dhe mund t’i ofrojnë shërbimet e tyre në treg përmes plaftormës së Këshillit të Konsulentëve të Kosovës (BCC). BCC si institucioni i dytë në botë i akredituar për certifikimet digjitale, po ndikon në rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit në konsulencë.
Dwight W. MIHALICZ, Kryetar, Këshilli Ndërkombëtar i Instituteve të Konsulencës Menaxheriale (ICMCI)
Akreditimi për të ofruar certifikim digjital është qenësor, kryesisht për shkak se ndihmon të sigurojë rritjen e cilësisë së shërbimeve. Ky akreditim demonstron përkushtimin e BCC-së për të ofruar certifikimin e shkathtësive të konsulentëve në Kosovë.
Jehona LLUKA, Drejtoreshë, Këshilli i Konsulentëve të Kosovës (BCC)
Ne do të vazhdojmë të trajnojmë dhe certifikojmë konsulentët në Kosovë nga të cilët pritet të zhvillojnë dhe t’i bëjnë më konkurrente ato kompani me të cilat do të ndërveprojnë në të ardhmen, qoftë në Kosovë apo nëpër botë. Jemi krenar që kemi mbërritur të rrisim numrin e konsulenteve gra nga 15% në vitin 2012 në 40% në vitin 2020.