Kryetari i Këshillit të Prindërve, Besnik Dragusha sot ka blerë tekstet shkollore për vajzën e tij ku tregon se çmimet e librave nuk ishin të vendosura
Në një prononcim për Gazeta Blic, Dragusha thotë se çmimet e librave nuk ishin të vendosura dhe që sot ka blerë tekstet shkollore për vajzën e tij, ku pa anglishten dhe pa edukatën fizike çmimi ishte 51.45€.
“Çmimet nuk ishin të vendosura në libra, gjë që do të duhej të ishte!?.Sot, bleva librat për klasën e IV për vajzën time, dhe cmini i tyre pa anglishten dhe pa edukatën fizike ishte 51.45€”, tha ai.
I njëjti bëri të ditur se, sot nuk ka pasur ankesa nga prindërit për çështjen e aplikimit, ndërsa kërkesat/ankesat e prindërve të cilat i ka pranuar gjatë vikendit, i ka adresuar në ministri përmes telefonit.
“Sot nuk kam pasur ankesa nga prindërit për çështje të aplikimit, ndërsa kërkesat/ankesat e prindërve të cilat i kam pranuar gjatë vikendit, i kam adresuar në ministri përmes telefonit, dhe kisha përgjigje, si në vijim:”, theksoi Dragusha.
“1. Ka raste kur X shkolla (rast i Prishtinës – Afrim Gashi) mungon në listë gjatë aplikimit? Në këto raste pasi ta zgjedhni komunën tuaj, tek lista e shkollës e zgjedhni opsionin ‘tjetër’.
“Të gjitha këto shqetësime dhe informata kthyese janë realizuar përmes telefonit!”, deklaroi Kryetari i Këshillit të PrindërveDragusha për Gazeta Blic.
Ndryshe, vendimi i Ministrisë së Arsimit për mbulimin e kostos së teksteve për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën ka shkaktuar reagime të shumta. Në opinionin publik janë ngritur disa çështje, përfshirë edhe ajo e mënyrës se si do të realizohet mbulimi i kostos së teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit, e veçanërisht transferimi i fondeve në llogaritë bankare të prindërve që mund të jetë problematik për shumë arsye.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI), Arbërie Nagavci, njoftoi se do të ndahen nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, për blerjen e teksteve shkollore, ndërsa për t’i marrë ato prindërit duhet të aplikojnë online nga 25 gushti.
Duke iu drejtuar prindërve të nxënësve fillorë, përmes një videoje në llogarinë e saj në Facebook, Nagavci tha se “mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme.”
Ndërkohë, për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore nga viti i kaluar, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore, njoftoi ajo.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.
Por, Nagavci njoftoi javën e kaluar se ka ndryshuar mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Për rrjedhojë, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.
Çmimet e teksteve shkollare në disa librari në Prishtinë për nxënësit e klasës së parë deri në të pestën, arrijnë deri në 60 euro, ndërsa për ata në klasën e gjashtë deri në të nëntën, deri në 80 euro.
Prindërve do t‘iu duhet të aplikojnë në platformën online të Qeverisë, E-Kosova, për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Ky vendim i ministres Nagavci është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka kërkuar dorëheqjen e saj, si dhe nga vetë Këshilli i Prindërve i Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kërkoi dorëheqjen e Nagavcit shkaku i asaj që e ka cilësuar si “keqmenaxhim të vitit shkollor”, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkoi edhe rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.
“Kosova nuk e meriton një ministre që ka dështuar në çdo nivel të menaxhojë me arsimin dhe përfundimisht është dorëzuar duke ia kaluar përgjegjësinë prindërve”, tha Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku, gjatë një konference për media më 22 gusht.