Këshilli i Prindërve të Prishtinës të shtunën ka deklaruar se nuk e përkrahin idenë që prindërit të organizojnë procesin mësimor, pasi mësimdhënësit janë në grevë.
Përmes një komunikate për media, Këshilli ka bërë thirrje që mësimi të fillojë, e nëse nuk ndodh një gjë e tillë atëherë kanë paralajmëruar se pakënaqësitë do t’i shprehin në forma të tjera.
Këto qëndrime Këshilli i ka bërë të ditura për publik, pas një mbledhje që ka mbajtur sot lidhur me gjendjen e krijuar për shkak të grevës.
“Nga diskutimi i zhvilluar sot në mbledhje, u nxorën këtë konkluzione: Këshilli i prindërve të komunës së Prishtinës, si organ i pavarur, është thellësisht i shqetësuar për mosfillimin e procesit mësimor, dhe konsideron se çdo orë mësimore e humbur është e pazëvendësueshme dhe shkakton dëme të pariparueshëm për nxënësit”.
“Informojmë të gjithë akterët e përfshirë , se nëse procesi mësimor nuk do të fillojë së shpejti, këshilli i prindërve të Komunës së Prishtinës do të shpreh pakënaqësitë e tij në forma të tjera, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësit që i takojnë”.
Ndërkohë Këshilli është shprehur kundër një ideje që po qarkullon që prindërit të japin mësim në vend të mësimdhënësve.
“Deklaratat e personave, që nuk janë pjesë e Këshillit të prindërve nuk mund të paraqesin qëndrimin e këshillit, që d.m.th., se ne nuk përkrahim idenë/thirrjen, “se prindërit duhet të futen në shkolla dhe të mbajnë procesin mësimor”.
Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ende nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje lidhur me kërkesat e kësaj të fundit që t’u ndahen nga 100 euro të gjithë punëtorëve të arsimit deri në miratimin e Projektligjit për Paga.
NJOFTIMI I PLOTË:
Këshilli i prindërve të K. Prishtinës, sot, me datën 10.09.2022 mbajti mbledhjen e radhës për të diskutuar lidhur me gjendjen e krijuar për shkak të mos fillimit të procesit mësimor dhe tejkalimin e saj. Njoftojmë opinionin, se që nga fillimi i grevës, ne me shqetësim të thellë kemi përcjellë zhvillimet që kanë ndodhur, dhe kemi organizuar takime me prindër dhe me akterët tjerë me qëllim që të filloj procesi mësimor sa më shpejt.
Nga diskutimi i zhvilluar sot në mbledhje, u nxorën këtë konkluzione:
Fëmijët – Drita e syve tanë! Mësuesi/ja – Prindi i dytë për fëmijë!