Këshilli i Prindërve të Kosovës përshëndet vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen koeficienteve të pagave për arsimtar në përputhje me mundësitë buxhetore të Kosovës, dhe kërkon nga SBASHK-u që të ndërpres grevën.
“Vazhdimin e grevës nga SBASHK-u , Këshilli i Prindërve të Kosovës e konsideron si të paarsyeshëm dhe tejkalim të qëllimit të vërtet të kërkesës për rritjen e koeficienteve. Këshilli i Prindërve të Kosovës ka ftuar takimin me Kryetarët e Këshillave të Komunave të Kosovës për të ndërmarr veprime me prindërit nëse greva e SBASHK-ut do të vazhdon, dhe do të koordinohen me DKA-të”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Këshill i Prindërve të Kosovës, gjithashtu thotë se fton mësimdhënësit që të fillojnë procesin mësimor në çdo shkollë, dhe të mos lejojnë që bëhen vegël e personave që shfrytëzojnë situatat e tilla për promovim personal dhe për interesa personale.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë ka mbajtur një konferencë për media me ç’rast ka njoftuar se ka bërë ofertë te SBASHK-u për të ndërprerë grevën duke u ofruar rritjen e pagave mësimdhënësve. Ai ka thënë se është vendosur që buxheti për arsim të rritet për 20 milionë euro në vit.
Këtu ka thënë se rritja do të bëhet nga 534 euro në 597 për mësimdhënësit në shkolla të mesme, nga 479 në 525 për ata në arsimin fillor dhe nga 447 në 501 te ata në nivelin parashkollor.
Por, SBASHK-u s’e pranoi këtë ofertë.
SBASHK-u ka dal me vendim përfundimtar pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradianj, në Qeverinë e Kosovës.
Greva nuk ndalet, e oferta e kreut të ekzekutivit refuzohet.
“Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut dhe punonjës të të gjitha institucioneve arsimore ju informojmë se sonte në orët e vona të mbrëmjes (në orën 19:00) në objektin e Qeverisë, kryetari Jasharaj u takua me kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Bytyqi ku mori një ofertë në formë të shkruar nga kryeministri Haradinaj në të cilën ofertë kishte ngritje të koeficientit prej 0.2 vetëm për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar (nga çerdhet e deri tek shkollat e mesme), që është rreth 10 % e ngritjes së koeficiontit. Kjo ofertë nuk i plotëson kërkesat e SBASHK-ut, aq më shumë pasi që nuk janë përfshirë punëtorët teknikë, punëtorët administrativë si dhe i tërë sistemi universitar”, thuhet në njoftimin nga SBASHK-u.
“Ju njoftojmë se greva vazhdon edhe ditët ne vijim më shpresën se dialogu do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të anëtarësisë”, thuhet më tej.