Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë takim urgjent të hënën në lidhje me pushtimin tokësor të Izraelit në Gaza, konfirmuan burime diplomatike.
Agjenda e Këshillit të Sigurimit për të hënën ka po ashtu një takim të planifikuar pasdite për “Situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë çështjen palestineze”.
Është e paqartë nëse kjo është e ndarë nga takimi urgjent.
Takimi urgjent vjen pasi 120 vende votuan për një rezolutë të Kombeve të Bashkuara të premten, të prezantuar nga Jordania, e cila bënte thirrje për “armëpushim të qëndrueshëm humanitar” në Gaza. Shtetet e Bashkuara ishin një nga 14 vendet që votuan kundër rezolutës, me 45 vende që abstenuan.
Të shtunën, ministria e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe dënoi operacionet tokësore të Izraelit në Gaza dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe WAM.