Siç ka paralajmëruar dje ministri i sportit, Hajrullah Ceku, sot është mbledh Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanaksionimin e Dukurive negative në Sport.
Ky këshill kanë diskutuar për garat sportive që Serbia i zhvillon ilegalisht brenda territorit të Kosovës duke i përdorur klubet e serbeve te këtushme, që nuk i njohin federatat kosovare por vetëm ato serbe.
Ky këshill ka rekomanduar që të gjitha komunat t’i inkuadrojnë klubet sportive në federatat kosovare. Në të kundërtën paralajmëron sanksionime konform ligjeve te Republikës së Kosovës
Njoftimi i plotë:
Komunikatë për media nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive
Sot, me datë 26.10.2021, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, ku të pranishëm përveç anëtarëve të këtij Këshilli ishin edhe përfaqësuesit e disa Federatave sportive të Kosovës.
Në agjendën e mbledhjes së sotme, me prioritet është trajtuar tema e aktiviteteve sportive ilegale të organizuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë.
Bazuar në Ligjin e për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, aktivitetet zyrtare sportive në territorin e Kosovës mund të organizohen nga federatat sportive, shoqatat e sportistëve, dhe klubet sportive të formuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
Poashtu, Ligji specifikon se të drejtën e organizimit të ngjarjeve sportive e kanë edhe personat tjerë fizikë dhe juridik që paraprakisht kanë bërë marrëveshje me federatat apo klubet sportive të licencuara në Kosovë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e federatave sportive shpjeguan se ndër vite u kanë bërë thirrje klubeve sportive të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në kuadër të federatave sportive në Serbi që të integrohen në strukturat tona organizative dhe bëhen pjesë e aktivitetit legjitim sportiv në Kosovë.
Përkundër iniciativave të tilla, në Federatat e Sportit të Kosovës ende nuk ka asnjë klub anëtar nga komuniteti serb.
Së bashku me të gjithë të pranishmit u dakorduam se integrimi i klubeve sportive në Federatat e Sportit të Kosovës, duhet trajtuar me prioritet të lartë nga niveli institucional dhe sportiv i Republikës së Kosovës.
Pas diskutimeve, Këshilli nxori përfundimet si në vijim:
1. Këshilli i rekomandon ministrit që procesi për integrimin e klubeve sportive që nuk janë pjesë e Federatave Sportive të Kosovës, të bëhet në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Sportit në të gjitha komunat e Kosovës,
2. Këshilli i rekomandon ministrit që përpjekjet për integrimin e klubeve sportive në aktivitetet zyrtare të sportit kosovar, të vazhdohen të bëhen edhe nga Federata Sportive të Kosovës që janë të licencuara në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Këshilli paralajmëron të gjitha klubet që nuk janë pjesë e Federatave Nacionale të Kosovës se për organizimin e aktiviteteve ilegale sportive do të jenë të detyruar që të zbatojnë ligjet e Kosovës, ku parashihen edhe sanksionet ndaj personave, apo subjekteve që nuk i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.