Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën masat e mbrojtjes nga pandemia COVID-19 dhe përmes video konferencës ka mbajtur takimin e 180-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit, Bahri Hyseni, me ç’rast janë diskutuar pikat sipas rendit të ditës.
“Takimi filloi me diskutimin rreth gjendjes aktuale lidhur me pandeminë COVID-19 në sistemin prokurorial në përgjithësi dhe ndikimin e saj në punën e prokurorive, ku u tha se të gjitha objektet e prokurorive të Kosovës janë dezinfektuar. Lidhur me këtë u konstatua se sistemi prokurorial aktivitetet e veta është duke i realizuar në përputhje me masat e marra me qëllim të mbrojtjes nga pandemia COVID-19″.
“Gjatë këtij takimi, anëtarët e KPK-së, pas kërkesës dhe propozimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, kanë marrë vendim për caktimin e prokurores Sebahate Hoxha, udhëheqëse të Departamentit për të Mitur dhe prokurores Jehona Grantolli, udhëheqëse të Departamentit të Përgjithshëm në këtë prokurori”, thuhet në njoftimin për media.
Po ashtu, është miratuar Raporti i Komisionit për Vlerësimin e performancës së 6 prokurorëve me mandat të përhershëm dhe janë zhvilluar dy seanca dëgjimore, ku janë trajtuar raportet e paneleve hetimore lidhur me procedurat disiplinore ndaj dy prokurorëve.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë këtij takimi ka shqyrtuar edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e tij.