Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se është duke e trajtuar seriozisht deklaratën kërcënuese të asamblistit të pavarur në Komunën e Drenasit Xhavit Drenori, ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Bekës.
“Nëse një ditë do bëhesha vrasës, do ta vrisja Imer Bekën”, deklaroi të shtunën Drenori, duke thënë se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka shpërfillur disa raste korruptive nga Komuna e Drenasit.
“KPK siguron publikun se kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës të cilën e meriton. Forma të tilla të deklarimit publik rrezikojnë jo vetëm integritetin e kryeprokurorit Beka por edhe autoritetin e sistemit prokurorial në tërësi”, ka thënë KPK.
Këshilli Prokurorial i Kosovës është shprehur i indinjuar me deklaratën e Xhavit Drenorit.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka përcjellë zhvillimet e fundit mediale dhe është tejet i indinjuar me mënyrën se si asamblisti i Kuvendit Komunal në Drenas, z. Xhavit Drenori, e ka apostrofuar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, z. Imer Beka, për kinse mosveprim”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Në komunikatë është theksuar po ashtu, se “Këshilli qëndron fuqishëm pranë prokurorëve, i mbështet ata në ushtrimin e funksionit të tyre dhe i inkurajon në përmbushjen e mandatit të tyre”.