Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), po kërkon që për vitin 2019 buxhetit të këtij institucioni t’i shtohen edhe 3 milionë euro.
Kështu bëri të ditur kryesuesi i komisionit për Buxhet dhe Financa, Zejnulla Gashi, gjatë prezantimit të kërkesës për buxhetin 2019, raporton Ekonomia Online.
Sipas Gashit, buxheti për vitin 2019 është paraparë të jetë 12 milionë euro mirëpo në fakt KPK-ja ka nevojë edhe për rreth 3 milionë euro të tjerë.
“Parasheh një ngritje të lehtë të buxhetit kategoria e mallrave është më e lartë për 400 mijë euro, Investime kapitale 200 mijë euro. Kjo ngritje nuk i mbulon nevojat e sistemit prokurorial të Kosovës. Kufijtë për vitin 2019 janë 12 milionë ndërsa kërkesa sipas nevojës është 15 milion e 670 mijë”.
Kryesuesi i komisionit për Buxhet dhe Financa sqaroi se nuk mund të rrisin stafin nëse nuk rritet edhe buxheti. Sipas tij, është kërkuar që në Prokurorinë Speciale të jenë edhe pesë prokurorë, pastaj në Prokurorit Themelore 5, 12 përkthyes e 7 ekspert të fushave të ndryshme.
“Sa i përket qëllimit të kërkesës pasqyrohen nevojat për sistemin prokurorial për vitin 2019 dhe vlerësim për 2020-2021. Nevojat për personel shtesë dhe ngritja e kapacitetit mungesa e pagave dhe mëditjeve dhe mallrave dhe shërbimeve”.
“Pozitat e kërkuara shtesë 5 prokurorë në Prokurorinë Speciale 5 prokurorë në nivelin themelor, 12 përkthyes e 7 ekspert të fushave të ndryshme. Mjetet e nevojshme për kategorinë e pagave për vitin 2019 janë 8 milionë e 229 mijë euro”.
Ndërsa prokurori Bahri Hyseni, tha se kërkesat e komisionit janë të arsyeshme për shkak se pa plotësimin e tyre KPK nuk do të mund të funksionojë, raporton EO.
“Duhet me u uruar komisioni për buxhet edhe administratën që ka bërë kërkesë jashtëzakonisht mirë dhe kërkesa që do i drejtohet ministrisë së financave është serioze. Ne dimë që kohën e fundit sistemi në përgjithësi ka arritur një avancim sa i përket planifikimeve buxhetore. Kemi filluar nga 7 milionë e kemi arritur në 12 milionë. Kjo kërkesë buxhetore nuk po flet për diçka të veçantë por është kërkesë e domosdoshme që pa ta nuk kemi mundësi me funksionuar”.
Pas prezantimit të kërkesës, anëtarët e Këshillit Prokurorial miratuan kërkesën për të vazhduar më tej me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës.
Gjithashtu KPK ka emëruar prokurorët të cilët do të jenë përgjegjës për komunikimin me media: Besim Kelmendi në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit; Sylë Hoxha në Prokurorinë Speciale; Xhevdet Bislimi në Prokurorinë e Apelit; Ibrahim Berisha në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; Petrit Kryeziu në Prokurorinë Themelore të Prizrenit; Ersan Qavolli në Prokurorinë Themelore të Pejës; Zejmie Kelaj në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës; Jetish Maloku në Prokurorinë Themelore të Gjilanit; Burim Çerkini në Prokurorinë Themelore të Ferizajt dhe Armend Zenelaj nga Prokuroria Themelore të Gjakovës.