Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija, e cila ishte akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, i është kthyer punës, pasi që është shpallur e pafajshme.
Pos kësaj, këshilli prokurorial me vota pro votuan për kompensimin e Bakijas, gjatë kohës sa ishte e suspenduar nga pozita që kishte.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se duke qenë afër ndryshimeve të ligjeve për prokurorinë e shtetit duhet të bëhet edhe ky ndryshim për ligjin e prokurorëve.
“Kryeprokurori në procedurën penale ose disiplinore e cila zhvillohet kundër tij, duke marrë parasysh autoritetin e një prokurori ka arsye domethënë për suspendim. Prokuroria e cila ka qenë subjekt i hetimit ka qenë e dënuar në njëfarë mënyre me vetë faktin që ka filluar një procedurë penale kundër saj dhe normalisht me arsyetimin se ka pasur dyshim. Por jo gjithmonë do të thotë që ato pretendime të ngritura nga gjykata rezultojnë të mjaftueshme. Në këto rrethana ne duhet të vendosim për kompensim të prokurores”, ka thënë Lumezi.
Kurse kryesuesi i KPK-së Blerim Isufi, tha se deri nuk ka një bazë ligjore nuk kemi pse të mos e kompensojmë kohën e kryeprokurores Bakija.
“Deri më tash nuk kemi një bazë ligjore e cila na thotë që nuk mund të mos e kompensojmë. Pastaj ne duhet të kemi kujdes edhe për të drejtat e njeriut, pasi që kryeprokurorja Shpresa Bakija është shpallur e pafajshme. I është kthyer punës dhe unë rekomandoj që të votojmë pro këtij kompensimi”, ka thënë prokurori Isufi.
Prokurori, Bari Hyseni, tha se përderisa Bakija po i kthehet punës edhe kompensimi duhet të bëhet.
“Ne kemi kërkuar edhe nga komisioni për legjislacion që të shqyrtohen ligji për kryeprokurorët. Sa i përket kthimit të kompensimit për kryeprokuroren e prokurorisë, në Gjakove, Shpresa Bakija, pasi që suspendimi nuk ka vlejtur, ajo është kthyer punës besoj që duhet edhe kompensimi t’i bëhet. Kjo është e drejta e saj”, ka thënë Hyseni.
Gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së, themeluan Komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve për kandidatët për kryeprokurorë të prokurorive Themelore. Komisioni do të udhëhiqet nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale i Republikës së Kosovës (PSRK), Reshat Millaku.
Ndërkaq dy anëtarët tjerë do të jenë, prokurori Lulzim Sulejmani nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorja Radica Milic, nga radhët e Këshillit Prokurorial të Kosovës.