Sot në Nju Jork do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Serbia kësaj radhe pritet të përfaqësohet nga ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviq.
Në këtë mbledhje do të shpaloset raporti i rregullt tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, rreth punës së UNMIK-ut dhe situatës në Kosovë nga 16 janari deri më 15 prill.
Ministrja Kuburoviq pritet të paraqes mendimin dhe qëndrimin e Serbisë me rastin e raportit të ri të UNMIK-ut mbi situatën në Kosovë dhe qëndrimin e Qeverisë në Beograd në lidhje me çështje të caktuara politike.
Temat më të ‘nxehta’ do të jetë tentimi për transformimin e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në ushtri, “kërcënimet” e Daut Haradinaj për gjoja spastrimin etnik të serbëve si dhe vendimi i gjykatës në Colmar ndaj Ramush Haradinajt.
Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në bazë të raportit tremujor për periudhën 16 tetor 2016 – 15 janar 2017, të paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u mbajt në shkurt.
Në këtë seancë, Kosova u përfaqësua nga ambasadorja në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, e cila theksoi se “Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, të cilën e ka pranuar numri më i madh i vendeve të lira në botë”.
Mëtutje ajo ka theksuar se Serbia po jeton në një univers paralel, por realiteti është se Kosova është e lirë, e pavarur dhe shtet sovran.
“Fakti se Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk na bënë neve shtet më të vogël”, tha Çitaku.