Skandalet e qeverisjes së Albin Kurtit dhe “gjakderdhja” financiare nuk kanë të ndalur.
Përveç punësimeve politike, Kurti po e shfrytëzon pushtetin për ta avancuar edhe shkollimin e zyrtarëve të tij të afërt.
Qeveria Kurti ka paguar hiç më pak se 26 mijë e 600 dollarë për një program online në Universitetin e Harvardit për shtatë zyrtarë qeveritarë.
Shefi i stafit të kryeministrit që njihet si linçues i mediave, duke u thirrur në emër të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi, të cilit i referohet si “Profa”, u kishte kërkuar disa ministrave që t’i propozojnë 12 zyrtarë për ta ndjekur një program online në Universitetin e Harvardit, ku për person duhet të paguhej nga shteti 3800 dollarë.
“Në konfidencë për këtë kohë po të njoftoj që bashkë me Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin/Profën jemi duke e konsideruar regjistrimin e 12 zyrtarëve/ këshilltarëve në programin ekzekutiv arsimor ONLINE 3-javor (21 shtator-12 tetor, 2021) të universitetit Harvard: “Udhëheqja e dizajnit të zgjuar të politikave: Qasje Multisektoriale ndaj Vendimeve Ekonomike”, u kishte thënë Dalipi.
Në këtë e-mail, Dalipi kishte treguar se ndjekja e këtij kursi për një person kushton 3,800 dollarë ose 3,213 euro, që gjithsej për 12 pjesëmarrësit e planifikuar kushtonte 38,556 euro.
“Çmimi është 3,800 dollar ose 3,213 euro për person, ose 38,556 euro për 12 pjesëmarrësit. Pasi eventualisht të vlerësojmë se kemi kandidatë të denjë për këtë program dhe përfundimisht ia vlenë t’iu bashkangjitemi këtij programi – do ta vendosim edhe mënyrën e pagesës”, thuhet në e-mailin e Dalipit të siguruar nga Demokracia.com, për kursin që e ndoqi edhe vetë ai.
Dalipi vlerësonte se mos-pjesëmarrja mund të kushtojë shumë më shumë, në aspekt të kostos-oportune që mund ta kishin nga politikat zhvillimore kushtimisht jo-mjaftueshëm të mira.
Vendimin final se kush do ta ndjek trajnimin, sipas Dalipit, do ta merrte kryeministri Kurti.
E krejt këtë punë e kishte “ndërmjetësuar” një aktivist i Vetëvendosjes në Boston me emrin Faton Limani. Madje, Dalipi as që hezitonte që nëpërmjet e-mailit zyrtar të tregonte se ndërmjetës në këtë çështje është aktivisti i Vetëvendosjes.
“Për informim tuajin, me të gjitha këto iniciativa rreth Harvardit po na ndihmon përkrahësi dhe aktivisti i LVV-së në Boston, z. Faton Limani (me origjinë nga Ferizaji), i cili e ka të përfunduar masterin në Administratë Publike në Harvard”, kishte shkruar Dalipi nga pozita e shefit të stafit të kryeministrit Kurti.
Pos Dalipit, këtë program e ka ndjekur edhe këshilltarja e Kurtit, Fëllanza Podrimja. Por, anash nuk e kanë lënë as kabinetin e Besnik Bislimit, të ashtuquajturit “Profa”.
Me paratë e taksapaguesve kosovarë, këtë kurs e ka ndjekur edhe shefja e kabinetit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Kaltrina Zeka.
Pjesë e trajnimit kanë qenë edhe Zef Dedaj nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë dhe tri zyrtare të tjera, përkatësisht Blerta Greiçevci, Bulinë Gashi dhe Edona Mekuli, që me paratë e shtetit për tri javë e kanë ndjekur online programin ekzekutiv arsimor të Universitetit të Harvardit “Udhëheqja e dizajnit të zgjuar të politikave Qasje Multisektoriale ndaj Vendimeve Ekonomike”.
Demokracia.com e ka siguruar edhe faturën që Qeveria e Kosovës ia kishte paguar Universitetit Harvard.
Qeveria e Kosovës është pyetur lidhur me këtë çështje, por si gjithnjë Zyra e Kurtit nuk ka kthyer përgjigje.
Ditë më parë, Demokracia.com kishte raportuar edhe për favorizimin që ministria e Arbërie Nagavcit ua kishte bërë familjarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në rekomandimet për bursa studimore jashtë vendit, ku ndër të rekomanduarit ishte edhe Elion Kollçaku, djali i deputetes së LVV-së, Fatmire Muhaxha-Kollçaku, pastaj Libron Kelmendi, vëllai i koordinatorit të Qendrës së Vetëvendosjes në Pejë, si dhe shumë aktivistë të tjerë.