Tanimë është bërë e zakonshme që Qeveria Kurti të fajësoj qeveritë e kaluara në rast të dështimeve apo pengesave që hasin. Njëjtë u veprua edhe sot kur Kosova u la jashtë liste nga SHBA-ja për “Samitin e Demokracisë”, shkruan Gazeta Metro.
Ishte këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, i cili supozoi se fajin që nuk ishte ftuar Kosova e kishte ish kryeministri Avdullah Hoti.
Ai tha se ‘injorimi’ i Kosovës në këtë rast ishte si pasojë ‘’ e rezultatit të dobët të demokracisë së Kosovës në “Freedom House”.
“Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020. Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai shtoi se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të hidhërohen e as të dëshpërohen, pasi rezultatet e ndryshimeve demokratike gjatë qeverisjes Kurti do të shohim ‘’ të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm.
Postimi i plotë:
Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020.
Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%.
Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020.
Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar.
Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm.