Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), “nuk është shqiptar”, pasi sipas tij, fillimisht do duhej të bënte homazhe te varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001.
“Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, shkroi Qoku në Facebook.
Më herët ai ka sulmuar dhe mediet e gazetarët nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët po raportonin nga seanca ku Xhaferi u zgjodh kryeministër.
“Sa tenderë dhe sa pare nga buxheti i varfër i shqiptarëve të MV duhet t’u jenë ndarë gazetarëve/analistëve mercenarë për propagandë pro-regjim? Aliu paska gjetur më në fund “horrat” e vërtetë, ka shkruar Qoku, duke postuar një fotografi ku shihen gazetarët Blendi Fevziu, Adriatik Kelmendi, Baton Haxhiu e Berat Buzhala.
Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut votuan për qeverinë teknike e cila do të drejtohet për herë të parë nga një shqiptar: ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Talat Xhaferi, i cili për një kohë drejtoi edhe legjislativin maqedonas, nga sot është futur në historinë moderne si shqiptari i parë që udhëheq me postin më të rëndësishëm në këtë shtet.
Ai u zgjodh kryeministër me 65 vota pro, vetëm 3 kundër dhe asnjë abstenim nga gjithsej 68 deputetë të pranishëm në sallë – një moment historik që reflekton kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk morën pjesë në votim. Gjithashtu, në votim nuk morën pjesë as opozita shqiptare.
Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut deklaroi të dielën gjatë seancës se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisjes teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian (BE), Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Qeveria e Maqedonisë së Veriut
“Duke marrë parasysh që kjo qeveri është vazhdim i qeverise paraprake, unë dhe qeveria që do të udhëheq do të vazhdojë aplikimin e politikave të kaluara. Puna e qeverisë do të zbatohet në parimin e respektimit të plotë të ligjeve, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta parlamentare”, nënvizoi Xhaferi në hyrje të ekspozesë së qeverisjes teknike.
“Avancimi i lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, aleancën e NATO-s dhe SHBA-në, përfshirë zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndër-etnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm, drejt integrimit të suksesshëm euro-atlantik, do jenë prioritetet e qeverisjes teknike”, shtoi Xhaferi.
Xhaferi në postin e kryeministrit zëvendëson liderin e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski, i cili ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, bazuar në ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që 100 ditë para zgjedhjeve paralametare të emërohet një qeveri teknike që do të përkujdeset për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.