Kryeministri Albin Kurti cicëroi në Twitter për një bisedë që ka pasur sonte me Derek Chollet, këshilltarin e lartë të presidentit amerikan, Joe Biden.
Kurti vendosi në fokus “diskutimin e raportit të Indeksit Botëror të Drejtësisë”, të cilin, partia që ai udhëheq [VV] dhe eksponentë qeveritarë [Liburn Aliu, Albulena Haxhiu] e interpretuan si sukses të Qeverisë dhe se ‘Kosova është e dyta në botë për përmirësimin e sundimit të ligjit’.
Por, një interpretim i tillë doli të jetë i pasaktë, apo “fakenews”, shkruan Periskopi.
Një prej kontribuuesve në furnizim të të dhënave rreth raportit në fjalë dhe një nga njohësit më të mirë të ligjeve në vendin tonë, z.Ehat Miftaraj, ishte ndër të parët që denoncoi këtë lloj interpretimi të pasaktë, duke argumentuar se në fakt – Kosova është e 57-ta në këtë renditje, e jo e dyta.
Përveç zotit Miftaraj, një analizë këtij raporti sot ia bën edhe deputetja e zëshme e LDK-së, znj. Hykmete Bajrami.
Raporti është ezauruar me debat e kritika sot edhe në Kuvendin e Kosovës. Por kryeministri Kurti, e ka zgjedhur pikërisht këtë interpretim të shtrembëruar, për ta shkruar në Tuitter si temë bisede me këshilltarin e lartë të Presidentit Biden, z.Chollet.
Por biseda kryesore e telefonatës, publikut kosovar i tregohet nga vetë z.Chollet, i cili nëpërmjet Twitterit, tregon se Kurtit i kërkohet ta pranojë kërkesën për shtyrjen e implementimit të vendimit për targat.