Adil Behramaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi ka reaguar pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti drejtuar Komisionit të Venecias për kompetencat e Presidentit për mandatarin.
Behramaj ka thënë se adresimi i çështjes së mandatarit të ri për kryeministër në Komisionin e Venecias është një tallje me shtetin e Kosovës.
“Anëtarët e Komisionit të Venecias do të qeshin me amatorizmin e Kryeministrit të Kosovës, i cili nuk ka njohuri për procedurat e një organizate ku Kosova ishte bërë anëtare në vitin 2014, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi”, ka shkruar Behramaj në Facebook.
Ky është postimi i tij i plotë:
Kurtit dhe partisë së tij u mungon ekspertiza dhe përvoja për shumë çështje, përfshirë çështjet ligjore dhe kushtetuese. Adresimi i çështjes së mandatarit të ri për kryeministër në Komisionin e Venecias është një tallje me shtetin e Kosovës. Anëtarët e Komisionit të Venecias do të qeshin me amatorizmin e Kryeministrit të Kosovës, i cili nuk ka njohuri për procedurat e një organizate ku Kosova ishte bërë anëtare në vitin 2014, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.
Në të njëjtën kohë kur Gjykata Kushtetuese po merret me pyetjen specifike të shtruar nga vetë partia e Kurtit, këta mendojnë se mund të marrin edhe një mendim të dytë. Kjo është tërësisht kundër procedurave të Komisionit të Venecias për ta adresuar një çështje, që tashmë po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Kjo çështje ende nuk ka marrë përgjigje dhe askush nuk është mbi gjykatat kushtetuese të shteteve. Pra, as Komisioni i Venecias, sepse mendimet e tij nuk janë detyruese!
Detyrë kryesore e Komisionit të Venecias është t’u ofrojë shteteve këshilla juridike në formën e “opinioneve juridike” për projektligjet ose legjislacionin tashmë në fuqi, i cili i është paraqitur asaj për shqyrtim.
Komisionit të Venecias mund t’i kërkohet nga Gjykata Kushtetuese ndihmë për një çështje me mendime Amicus Curiae. Me kërkesën e një Gjykate Kushtetuese ose të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, komisioni mund të sigurojë mendime Amicus Curiae, jo për kushtetutshmërinë e aktit në fjalë, por për çështje krahasuese kushtetuese dhe ndërkombëtare!
Megjithatë, pasi Kurti është kaq shumë i fiksuar me Komisionin e Venecias, le t’ia printojnë atij opinionet e Komisionit të Venecias për mandatin dhe imunitetin e deputetëve, për gjendjen e emergjencave dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Po ashtu, le t’ia printojnë edhe opinionin e përgatitur për rëndësinë e ruajtjes së rolit të parlamentit në kohën e pandemisë COVID-19 nga Këshilli i Evropës, organ i së cilës është edhe Komisioni i Venecias.
Kosova, para disa vitesh e kishte adresuar një çështje në Komisionin e Venecias, atë për Ligjin e Lirive Fetare. Por, ishte pikërisht partia e Kurtit ajo që e kishte bllokuar në Kuvendin e Kosovës për vite me radhë edhe zbatimin e këtij opinioni në legjislacionin e Kosovës. Pra, në atë kohë Komisioni i Venecias nuk ishte respektuar fare nga Kurti, ndërsa tash po tenton të luajë me të për përdorim të brendshëm politik!