Këshilltari i Presidentit të Republikës së Kosovës, Ardian Arifaj, ka thënë se tabela e publikuar nga Bloomberg në lidhje me vdekjet në Kosovës nga COVID-19, është e pasaktë dhe ai vet ka publikuar disa llogaritje të bëra, shkruan Gazeta Metro.
Një shkrim në Bloomberg i publikuar dje e që e paraqet Kosovën si vendin e parë për nga numri i vdekjeve nga COVID-19 ka nxitur reagime të qytetarëve në Kosovë.
Këshilltari i Presidentit të Republikës së Kosovës, Ardian Arifaj, ka bërë llogaritjet dhe i ka publikuar në faqen e tij në Facebook, dhe sipas tij tabela e Bloomberg nuk është e saktë.
”Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike, që janë në dispozicion në faqen e tyre në Facebook, nuk rezulton që në javën e fundit në Kosovë janë 54.2 fatalitete nga COVID-19 në 1 milion banorë, siç ka raportuar dje Bloomberg. Autorët e shkrimit/tabelës thonë që të dhënat i kanë marrë nga John Hopkins University, por as John Hopkins nuk e ka atë shifër”, ka shkruar Arifaj.
Tutje ai ka thënë se shifrat dhe tabela e Bloomberg është e pasaktë dhe për këtë i ka shkruar edhe redaktorëve të tyre.
Më poshtë keni postimin e tij të plotë dhe llogaritjet e këshilltarit të Presidentit Thaçi.