Kështu do të quhet varianti i ri dhe shqetësues i Coronavirusit

Prishtinë | 26 Nën 2021 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar për një “variant shqetësues”, pra një mutacion të ri të koronavirusit.

Ky variant u emëruar Omicron dhe për herë të parë u raportua në OBSH nga Afrika e Jugut më 24 nëntor, shkruan BBC.

I njohur më parë si B.1.1.529, rastet e para gjithashtu janë identifikuar në Belgjikë, Botsvanë, Hong Kong dhe Izrael.

OBSH tha sot se provat e hershme sugjeronin një rrezik në rritje të riinfeksionit me këtë variant, I cili po cilësohet si shqetësuës.

Në një deklaratë të premten, ku zyrtarisht është emëruar edhe varianti i ri, OBSH tha se numri i rasteve të këtij varianti duket se po rritet në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës së Jugut.

“Ky variant ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese”, thuhet në një deklaratë.

Nuk është e pazakontë që një virus të ndryshojë me kalimin e kohës. Një variant kalon në një variant shqetësues kur ai mutacion mund të ndikojë në gjëra të tilla si transmetueshmëria ose efektiviteti i vaksinave.

OBSH ka thënë se do të duhen disa javë për të kuptuar ndikimin e variantit të ri, pasi shkencëtarët po punojnë për të përcaktuar se sa i transmetueshëm është ky variant.

OBSH ka reaguar ndaj vendeve që po vendosin me nxitim kufizime udhëtimi, duke thënë se ata duhet të shikojnë një “qasje të bazuar në rrezik dhe shkencore”.

Megjithatë, Britania e Madhe, vendet e BE-së dhe Zvicra kanë ndaluar përkohësisht fluturimet nga disa vende të Afrikës Jugore.

Të ngjashme