Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, plot dy dekada ishte kundër çdo procesi që ka kaluar Kosova. Kurti ishte edhe kundër Konferencës së Rambujesë, që sot shënon 23 vjetorin e nisjes së punimeve.
Megjithatë, është një figurë emblematike shqiptare, që në shkurtin e vitit 1999 i kishte përshkruar më së miri kundërshtimet e të gjithë atyre që ishin kundër Konferencës së Rambujesë.
Bëhet fjalë për letrën e famshme të shkrimtarit shqiptar me renome botërore, Ismail Kadares, të cilën ia kishte dërguar delegacionit të Kosovës në Rambuje, duke i nxitur që ta nënshkruanin marrëveshjen.
Kadare e kishte lutur delegacionin e Kosovës në Rambuje që të mos i dëgjonin rrahgjoksat e papërgjegjshëm, që e kishin lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb.
Ai u kishte thënë anëtarëve të delegacionit që aty jeni për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj, si dhe askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet.
“Pyetja dramatike që shtrohet është: ndonëse aspirata jonë është më e madhe, a mund të kënaqemi megjithatë me aq sa kemi fituar? A mund të arrihej më shumë nga një fazë e parë kalimtare prej tre vitesh? Mendoj se tani për tani mund të mbetemi me kaq. Mendoj se vështirë se mund të arrihej më shumë nga një fazë kalimtare. Ky është një shans i madh përpara popullit shqiptar të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Historia shumë herë e ka treguar se jo çdo luftë, sado heroike të jetë, e sjell një shans të tillë. Dhe shanset nuk përsëriten kaq lehtë. Kam bindjen se këtij shansi kurrsesi nuk i duhet rënë me shkelm. Jam i sigurt se serbët presin me padurim “jo”-në shqiptare. Dhuratë më të madhe nuk mund të ketë për ta. Në këto kushte mendoj që të merret ajo që mund të merret dhe të mos kërkohet tani për tani e pamundura. Një konferencë tjetër për Kosovën pas tre vitesh e lë portën e lirisë të hapur. Unë e kuptoj ndjenjën tuaj të përgjegjësisë, e kuptoj drojën se mos bëni ndonjë lëshim që s’duhet bërë. Ju lutem mos dëgjoni rrahgjoksat e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj”, i kishte shkruar Kadare delegacionit të Kosovës në Rambuje, përcjell Demokracia.com.
Letra e shkrimtarit Ismail Kadare dërguar delegacionit shqiptar në Rambuje, Paris, 23 shkurt 1999, ishte botuar edhe nga Wolfgang Petritsch, Karl Kaser, Robert Pichler në librin “Kosovo, Kosova, Mythen, Daten, Fakten”. Por, ajo është e publikuar edhe në librin e Kadaresë “Ra ky mort e u pamë” – Ditar për Kosovën, artikuj, letra (Botim i dytë, i plotësuar).