Kur ndjeni se po ju dhemb shumë fyti dhe keni edhe vështirësi në gëlltitje duhet që menjëherë të veproni për të mos e acaruar më shumë.
Këto janë disa nga mënyrat:
1. Ilaçet – Një nga mënyrat më të shpejta është që menjëherë të merrni ndonjë ilaç që e redukton inflamacionin, ënjtjen dhe acarimin dhe kështu fyti do të dhemb më pak. Në rast se nuk keni ilaçe, ato mund t’i blini pa recetë në farmacinë më të afërt.
2. Kripë dhe ujë – Sapo ta ndieni ndjesinë e djegies dhe dhimbjes në fyt, merrni pak ujë të ngrohtë me kripë të thjeshtë dhe gargarisni. Këtë mund ta bëni disa herë në ditë, sepse në këtë mënyrë i shkatërroni bakteret. Mjekët zakonisht rekomandojnë solucion me një gotë ujë dhe gjysmë luge të vogël kripë. Pas gargarisjes pështyni ujin, dhe në qoftë se shija është tepër e kripur, shtoni pak mjaltë.
3. Tabletat përtypëse për fyt dhe sprejet – Tabletat përtypëse për fyt do t’ua lehtësojnë menjëherë dhimbjen sepse me përtypjen e tyre do të stimuloni tajitje më të madhe të pështymës dhe kështu e gjithë zona do të jetë më pak e thatë. Në farmaci do të mund të zgjidhni lloje të ndryshme të tilla si ato me vitaminë C ose mjaltë dhe bimë të dobishme. Gjithashtu mund t’ju ndihmojnë edhe sprejet të cilët kanë përbërës të ngjashëm antiseptik.
4. Shurupi – Nëse keni filluar të kolliteni nga pak, patjetër blini shurup, sepse kështu do të parandaloni sëmurjen e mëtejshme dhe më lehtë do ta përballoni ditën në punë.
5. Pini shumë lëngje – Si tek çdo ftohje, është thelbësore që gjatë gjithë kohës të pini çaj ose ujë që të mos dehidroheni. Lëngu do ta shpëlajë fytin e sëmurë dhe ju do të ndjeheni më mirë. Do t’ju bëjë mirë edhe supa e shtëpisë. Do ta kuptoni që keni pirë mjaft nëse urina ka ngjyrë më të ndritshme dhe është pa aromë.
6. Llojet e çajit – Zgjidhni çaje bimore të cilat do ta forcojnë imunitetin, si çaji i gjelbër, i zi dhe i bardhë, por bëni kujdes të mos jetë i nxehtë.