14-vjetori i Pavarësisë së Kosovës është festuar edhe në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem.
Ines Demiri, ambasadore e Kosovës atje ka ndarë detaje për festën dhe të ftuarit në ambasadë.
Ajo me anë të një postimi në Facebook ka thënë se kishte të ftuar zyrtarë izraelitë, përfshirë edhe një ministër.
“Sot, Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem ka organizuar një pritje për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin përfaqësues të korit diplomatik, Ministri për Shërbime Fetare në Qeverinë e Shtetit të Izraelit, z. Matan Kahana, Shefi i Protokollit në Qeverinë izraelite, Shkëlqesia e Tij Ambasadori z. Gil Haskel, Drejtori i Departamentit për Ballkan në Ministrisë e Jashtme izraelite, Shkëlqesia e Tij Ambasadori z. Dan Oryan, Shkëlqesia e Saj Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamar Ziv, nënkryetarja e bashkisë së Jerusalemit, znj. Fleur Hassan-Nahoum, përfaqësues të organizatave të njohura hebraike, personalitete të shquara të jetës publike në Izrael, si dhe studentë dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit kosovar në Izrael”, ka shkruar Demiri.
Ajo ka treguar se mysafirët kanë shikuar videon e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të përgatitur enkas për Ditën e Pavarësisë, ku shfaqen pjesëtarët e Filarmonisë së Kosovës teksa intonojnë himnin shtetëror, pastaj urimet nga Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Kiana Kryeziu e Albin Tahiri.
“Mysafirët patën rastin ta shikojnë videon e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, të përgatitur enkas për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë video, pjesëtarët e Filarmonisë së Kosovës e ekzekutojnë himnin e Kosovës, ndërsa përfshihen edhe urimet për Ditën e Pavarësisë nga Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Kiana Kryeziu dhe Albin Tahiri. Gjithashtu, në video jepen pamje nga filmat “Zgjoi” dhe “Pa Vend”. Në fund të ngjarjes, mysafirët morën si dhuratë nga një shishe verë prodhim i kompanisë kosovare “Kosova Ëine”. Kjo ngjarje u duatrokit fuqishëm nga të pranishmit meqë ky ishte përvjetori i parë i Pavarësisë së Kosovës i shënuar nga Izrael pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit”, ka thënë Demiri.