Paraditen e 13 korrikut, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë deputetja Mimoza Kusari-Lila.
Fillimisht kryeministri, Albin Kurti u sulmua me ujë nga deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ndërkohë që zëvendës kryeministri Besnik Bislimi e gjuajti më pas Lushtakun me një shishe. Pas kësaj deputetët e PDK-së dhe minsitrat u përfshinë në rrahje masive.
Rreth dhunës në Kuvend foli edhe vetë Mërgim Lushtaku, i cili tha se reagimi i tij ishte kundër Radojçiqit dhe “argatëve të tij”.
“Reagimi im ishte kundër Radojçiqit dhe argatëve të tij”, shkroi Lushtaku në Facebook.
U deshën orë që normaliteti të kthehej në sallën plenare, por edhe pas pauzës përsëri pati tensione në Kuvend, përderisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbajtur fjalimin e hyrjes së seancës, deputetë të opozitës kanë vazhduar të mbajnë të bllokuar foltoren.
Tensionet në Kuvendin e Kosovës vazhduan ku deputetët opozitarë kanë hedhur sërish ujë dhe shishe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin edhe forcat e sigurimit.
Dhuna që u zhvillua dje në Kuvend u dënua nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila tha se dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
Gjithashtu edhe Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas rrahjes që ndodhi djenë Kuvendin e Kosovës, për çka ka thënë se dhuna nuk është mjet për të shprehur mospajtimet.
Sipas tij, “është për të ardhur keq të shohësh atë që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës”.
Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka dënuar dhunën që ndodhi sot në Parlamentin e Kosovës midis qeverisë dhe opozitës.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar duke thënë se skenat e dhunës, janë “imazhe jo të mira”.
Instituti Demokratik i Kosovës që merret me monitorimin e Kuvendit thekson se seanca e së enjtes u shoqërua nga skena të papranueshme të dhunës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas përleshjeve fizike në Kuvendin e Kosovës, midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, prokurori i shtetit ka iniciuar hetime për veprën penale “Sulmi” dhe ka autorizuar “policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.
Kadri Kryeziu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbrëmë në RTV21 tha se imunitet penal s’ka as kryeministri, as ministri dhe Policia ka të drejtë të hyjë në seancë t’i arrestojë.
“Është njëfarë kundërvajtje penale, që i bjen se mund të dënohen ose do të ketë masa ndëshkuese varësisht prej rrezikshmërisë ose pasojave që kanë pasur deputetët”, tha ai.
Përleshja fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës dhe pozitës, është bërë kryetemë e mediave botërore.