Enver Rrustemi, Fadil Geci dhe Nebih Halili janë tre kandidatët që po pretendojnë të pasojnë Sokol Zogajn në krye të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
KALLXO.com mëson së procesi i intervistimit ka përfunduar për këta tre kandidatë dhe se vetëm pritet kompletimi i dosjes dhe dërgimi në Qeveri për miratim.
Përfundimin e intervistimit të kandidatëve për KALLXO.com e konfirmoi, anëtari i komisionit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku.
“Po ne kemi përfunduar me intervistimin e tre kandidatëve, Enver Rrustemi, Nebih Halili dhe Fadil Geci. Kandidati i katërt që ka qenë ka heqë dorë”, tha Millaku.
Millaku tha se nuk janë të vërteta ato që janë raportuar në disa media se procesi është anuluar në mungesë të kandidatëve.
KALLXO.com mëson se kandidati Enver Rrustemi në vitin 2009 kishte aderuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa kandidati tjetër Nebih Halili më herë ka qenë drejtor i zyrës ligjore në SHKK.
Lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ambasadën Britanike në Kosovë të cilët kanë thënë se pozita e drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës është njëra prej pozitave rekrutimi për të cilat mbështet nga Ambasada Britanike.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë lidhur me procesin e rekrutimit edhe anëtarët e tjerë të Komisionit por ata nuk kanë pranuar të deklarohen.