Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka caktuar emrat e ministrave në Qeverinë Hoti, e cila pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, dhe mandatari Avdullah Hoti, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, treguan se LDK-së, krahas postit të kryeministrit, do t’i takojnë dhe 7 dikastere.
“Jemi para një momenti të rëndësishëm para seancës së Kuvendit. Ne patëm mbledhjen e Kryesinë për seancën e nesërme, duke përzgjedhur ekipin përfshirës të LDK-së”.
“Jemi para një sfidë të rëndësishme që ta tejkalojmë pandeminë. Kemi prioritet rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe presim që të sfidohemi me dialogun me Serbinë që do të kulmojë më njohje reciproke”, tha Mustafa.
“Për këtë arsye patëm takim të gjatë në kryesi për sfidat që do të ballafaqohemi”, shtoi ai.
Më pas, mandatari Avdullah Hotit tregoi emrat e zv.kryeministrit dhe të ministrave nga radhët e LDK-së:
Zëvendëskryeministër – Driton Selmanaj
Ministre e Financave – Hykmete Bajrami
Ministër i Punëve të Brendshme – Agim Veliu
Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi
Ministër i Bujqësisë – Besian Mustafa
Ministër i Shëndetësisë – Armend Zemaj
Ministër i Infrastrukturës – Arban Abrashi.
Hoti tha se sonte në mbrëmje do të marrin dhe propozimet përfundimtare nga partnerët e koalicionit (AAK, Nisma dhe Lista Serbe)
Hoti mes tjerash tha se marrëveshja me Listën Serbe do të bëhet publike gjatë ditës së nesërme. Ai theksoi se marrëveshja është e bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.