“Këtë supozohet se e dinte Stano”, Bislimi për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë: Nuk mund të mbahen pa lejen tonë

Prishtinë | 30 Nën 2023 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Kryenegocatori i Kosovës në Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi ka thënë se për zgjedhjet Serbisë në Kosovë nuk mund të mbahen pa lejen e autoriteteve kosovare dhe sipas tij “këtë supozohet se e dinte [zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter] Stano”.

Më tej, Bislimi ka thënë se “nuk janë planifikuar zgjedhje për këtë vit në vendin tonë. Nëse autoritetet e vendeve të tjera do të preferonin të organizonin zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, ata duhet të kërkojnë zyrtarisht nga autoritetet tona një vendim dhe mbështetje pozitive”.

“Përderisa nuk ka kërkesë të drejtpërdrejtë zyrtare, nuk mund të ketë vendim”, ka shkruar Bislimi në rrjetin “X”.

Më tutje, ai ka thënë se nëse bëhet përpjekje për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, sipas Bislimit, kjo bie në kundërshtim me dialogun në Bruksel.

“Përpjekja për organizimin e zgjedhjeve të tilla pa kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk kontribuon në ndërtimin e besimit”, ka përfunduar Bislimi.

Të ngjashme