Në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në vitin 2019 u lindën 9242 foshnje. Krahasuar me vitin 2018 këtë vit u lindën rreth 700 foshnje më pak.
Drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Jakup Ismajli në një prononcim për Ekonomia Online vitin 2019 po e vlerëson si të suksesshëm dhe të karakterizuar me punë të madhe.
Përveç lindjeve të shumta ai bën të ditur se gjatë këtij viti u kryen mbi 6 mijë intervenime të ndryshme gjinekologjike.
“Viti 2019 klinikën tonë e ka karakterizuar me një punë të madhe. Kemi pasur diku 9242 lindje. Kemi pasur 6 mijë e 45 operacione, ku hyjnë operacionet selektive, po ashtu edhe lindjet me prerje cezariane. Mund të themi se ka qenë një vit i suksesshëm sa i përket ofrimit të shërbimeve shëndetësore, operacioneve, investimeve dhe rregullimit të klinikës si dhe mirëqenies së pacientëve”, thotë ai.
Pavarësisht që ende nuk i kanë siguruar të dhënat nga spitalet rajonale, Ismajli thotë se trendi i lindjeve është në rënie.
“Ka rënie të natalitetit në krahasim me vitin e kaluar, pasi që në 2018 kemi pas 9950 lindje, kurse deri tani kemi 9242 lindje. Pra është një rënie e numrit të lindjeve, edhe pse ne nuk i kemi ende statistikat të spitaleve regjionale dhe të spitaleve private. Megjithatë, nuk është një rënie për t’u theksuar”, shton Ismajli për eo.
Sipas tij shkaktarët kryesorë për rënien e natalitetit mbeten planifikimi familjar, kushtet jo të mira ekonomike, por që tashmë i është shtuar edhe migrimi i të rinjve.
“Mendoj se shkaktarët të cilët kanë ndikuar në këtë rënie janë planifikimi familjar, pastaj kushtet socio-ekonomike, po ashtu edhe migracioni që nuk duhet anashkaluar pasi që një numër i madh i të rinjve kanë filluar të migrojnë”, thotë ai.