Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Agim Aliu, ka adresuar një varg kërkesash në takim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Aliu me këtë rast ka kërkuar që të ndryshojë tradita e moskonsultimit si dhe qasja komunikuese, nga ana e Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Sipas tij, Komunat nuk janë konsultuar sa i përket për Ligjit për Vetëqeverisjen Lokal si dhe për procesin e amendamentimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.
Madje tha se sipas planifikimeve për vitin 2024, tavanet e caktuara nga Ministria e Financave kanë bërë që të ketë shkurtime të ndjeshme në buxhetet komunale, në kategorinë e investimeve kapitale.
“Ne, Kryetarët e Komunave, kemi bindjen se duhet të ndryshoj tradita e moskonsultimit si dhe qasja komunikuese, duke investuar në një raport komunikimi cilësor nga ana e Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për propozimet për ndryshime apo miratime të nismave të ndryshme legjislative, të cilat afektojnë drejtpërdrejt pushtetin lokal”.
“E tillë ishte edhe qasja për Ligjin për Vetëqeverisjen Lokal si dhe për procesin e amendamentimit të Ligjit për Tatimin në Pronë, për të cilën Asociacioni i Komunave të Kosovës, rrjedhimisht Kryetarët e Komunave, u përjashtuan nga konsultimi, përkatësisht vendimmarrja e përbashkët, kur mirëfilli dihet se ky ligj në gjendjen aktuale, dëmton në vlera milionëshe buxhetin e komunave, duke cenuar kështu edhe autonominë financiare të komunave e në këtë kuptim edhe përgjegjësitë komunale, duke derivuar të hyra më të pakta për komunat, zvogëlim të mundësisë për zhvillim të projekteve që bazë financimi kanë këtë burim”.
“Edhe në pikëpamje të planifikimeve buxhetore për vitin 2024, tavanet e caktuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë bërë që të ketë shkurtime të ndjeshme në buxhetet komunale, në kategorinë e investimeve kapitale, që përcakton vitin 2024, me më pak investime kapitale”.
“Ne, Kryetarët e Komunave në Asociacionin e Komunave të Kosovës, jemi besimplotë se kërkesat tona, propozimet tona, nevojat që ka pushteti lokal në gjithë Kosovën, do të kenë vëmendjen tuaj, do të marrin adresimin e duhur institucional, duke qenë aleatë në vizionin për t’i shërbyer më mirë, bashkëqytetarëve tanë”.
Fjalimi i plotë:
I nderuar Kryeministër Kurti;
Të nderuar Ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës;
Të respektuar Kryetarë të Komunave dhe përfaqësues të Komunave të Kosovës;
Zonja dhe zotërinj!
Në krye të fjalës sime, duke përfaqësuar Asociacionin e Komunave të Kosovës, dua që të shpreh falënderimin tonë, për aranzhimin e këtij takimi, ku na krijohet mundësia, që dy nivelet e pushtetit, ai lokal dhe qendror, të diskutojnë e parashtrojnë sfidat e përbashkëta, për të marr adresimin e duhur institucional.
Ne, Kryetarët e Komunave, me ju z. Kryeministër, kemi zhvilluar disa takime në harkun kohor të qeverisjes suaj, në të cilat takime, kemi parashtruar sfidat tona, pengesat në kuptim të veprimeve sektoriale – ministrore e për të gjitha nga këto, krahas paraqitjes si sfida, kemi paraqitur edhe propozimet përkatëse, sugjerimet profesionale, të buruara nga ekspertiza e krijuar e për të cilën kanë marrë vlerësime edhe nga jashtë, kolegjiumet profesionale në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Pra, për sfidat, kemi propozuar zgjidhjet, porse për shumë nga to, jemi ende në pritje të adresimit nga nivele ministrore në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke ditur se si të tilla, këto propozime e rrjedhimisht edhe zgjidhjet për to, ndikojnë në shkallë të gjerë e rrënjësisht, në përditshmërinë e punës së pushtetit lokal e që po ashtu, të tillat janë jo në kompetencën e vendimmarrjes sonë, por të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
I nderuar z. Kryeministër!
Ne, Kryetarët e Komunave, kemi bindjen se duhet të ndryshoj tradita e moskonsultimit si dhe qasja komunikuese, duke investuar në një raport komunikimi cilësor nga ana e Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për propozimet për ndryshime apo miratime të nismave të ndryshme legjislative, të cilat afektojnë drejtpërdrejt pushtetin lokal.
E tillë ishte edhe qasja për Ligjin për Vetëqeverisjen Lokal si dhe për procesin e amendamentimit të Ligjit për Tatimin në Pronë, për të cilën Asociacioni i Komunave të Kosovës, rrjedhimisht Kryetarët e Komunave, u përjashtuan nga konsultimi, përkatësisht vendimmarrja e përbashkët, kur mirëfilli dihet se ky ligj në gjendjen aktuale, dëmton në vlera milionëshe buxhetin e komunave, duke cenuar kështu edhe autonominë financiare të komunave e në këtë kuptim edhe përgjegjësitë komunale, duke derivuar të hyra më të pakta për komunat, zvogëlim të mundësisë për zhvillim të projekteve që bazë financimi kanë këtë burim.
Po kaq sfiduese është edhe gjendja financiare e komunave nga barra e obligimeve si rrjedhojë e Kontratave Kolektive, ku edhe për këtë sfidë, kemi kërkuar që institucionet të vendimmarrjes qendrore, të ndajnë buxhet shtesë, për t’ia lehtësuar këtë ngarkesë financiare komunave, ndonëse jemi të njoftuar për ndërprerjen e këtyre kontratave, porse shumë nga obligimet janë ende në proces e pothuajse të gjitha nga to, në procedura përmbarimore duke shkaktuar çrregullime sistematike në buxhetet komunale.
Kryetarët e Komunave, përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, kanë insistuar edhe në krijimin e mundësisë për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale sipas ligjit për ndërmarrjet publike, gjykuar si domosdoshmëri të rritjes së cilësisë e zgjerimit të gamës së shërbimeve për qytetarët, por që si e tillë, ende nuk është proceduar sipas këtij propozimi nga niveli ministror.
I nderuar Kryeministër z. Kurti!
Të nderuar të pranishëm!
Edhe në pikëpamje të planifikimeve buxhetore për vitin 2024, tavanet e caktuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë bërë që të ketë shkurtime të ndjeshme në buxhetet komunale, në kategorinë e investimeve kapitale, që përcakton vitin 2024, me më pak investime kapitale.
Ne, po kështu, edhe për shpërndarjen e fondeve publike përmes projekteve të ndryshme nga Ministritë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, vazhdueshëm kemi këmbëngulur që të bëhen me parametra të qartë matës, pa nevojën për favorizime, gjykuar nga pesha, nevoja e rëndësia që paraqesin ato projekte për qytetarët e komunave përkatëse.
Në këtë kuadër, kemi kërkuar krijimin e Grantit të Katërt për investime kapitale në komuna, ku propozimi ynë është që mbi 100 milionë eurot e dedikuara për investime kapitale në komuna, të ndahen në mënyrë të drejtpërdrejt për komunat dhe jo përmes ministrive përkatëse, për të garantuar përfundimisht asnjënësinë e barabarësinë për komunat në pikëpamje të zhvillimit të projekteve kapitale, me financim qendror.
Një çështje sfiduese e barrë shtesë financiare për buxhetet e pamjaftueshme komunale, janë edhe obligimet për të cilat jemi njoftuar së fundmi, që parashihen me Projektligjin për Banim Social, ku Qendrat për Punë Sociale që funksionojnë në kuadër të komunave, do të kenë kosto shtesë buxhetore me miliona euro e të cilat mjete buxhetore nuk do të mbulohen nga niveli qendror.
Këto kosto shtesë, thënë më konkretisht do të jenë e do t’i kushtohen: shpenzimeve nga kategoria e mallra dhe shërbimeve për nevojat administrative e operative të Qendrave për Punë Sociale, shpenzime nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve për të përkrahur e financuar programe sociale për organizatat e shoqërisë civile me fokus këtë fushëveprimtari e gjithashtu edhe me ndikim në kategorinë e investimeve kapitale duke nënkuptuar ndërtimin e qendrave të reja dhe renovimin e qendrave ekzistuese për punë sociale, të gjitha këto të parapara sipas këtij projektligji, të barten me buxhet të komunave, pra pa ndarë buxhet shtesë nga Qeveria për të zbatuar pa pengesa këtë bazë ligjore në këtë fushë kaq të ndieshme për shoqërinë.
I nderuar z. Kryeminsitër Kurti!
Gjej rastin, që edhe në këtë takim, të rikujtoj temat që kemi ngritur edhe në takimin tona të fundit të përbashkët me kryetarët e komunave, e që ishin:
1. Themelimi i Grantit të Katërt që do të krijoj barazi për Komunat e Kosovës.
2. Përshpejtimi i procedurave në nxjerrjen e akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, , me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.
3. Kthimin e pronave të menaxhuara aktualisht nga Agjencia Kosovare e Pronave, në menaxhim të Komunave, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.
Këtu më lejoni që të vë spikamën edhe në nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta, përkitazi më këto prona, kur së fundmi, siç dihet jemi përzgjedhur për organizimin e Lojërave Mesdhetare, e ku parashihen investime të shumta në infrastrukturë sportive po kështu edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja sportive – stadiumeve për të cilën kemi nënshkruar marrëveshjet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, fakte këto që bëjnë të menjëhershme nevojën e reagimit nga niveli qendror, për të mundësuar zhvillimin e projekteve në këto prona, kur dihet mirëfilli se shumë nga komunat nuk kanë hapësira në pronësi komunale që do t’i mundësonte zhvillimin e këtyre projekteve.
4. Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale, të cilat bartin interesin publik mbi të gjitha.
5. Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat.
6. Të rikthehet Projektligji për Prokurimin Publik për plotësim ndryshime sepse aktualisht po shkakton telashe e vonesa në nivelin lokal në kryerje të shumë punëve e zhvillimin e projekteve;
Fare në fund, të nderuar të pranishëm!
I nderuar Kryeministër Kurti!
Ne, Kryetarët e Komunave në Asociacionin e Komunave të Kosovës, jemi besimplotë se kërkesat tona, propozimet tona, nevojat që ka pushteti lokal në gjithë Kosovën, do të kenë vëmendjen tuaj, do të marrin adresimin e duhur institucional, duke qenë aleatë në vizionin për t’i shërbyer më mirë, bashkëqytetarëve tanë.
Ju faleminderit!
LEXONI EDHE: