Vlora dhe Durrësi vitin e kaluar patën plazhet më të ndotura, ndërsa plazhet më të pastra i takojnë Velipojës, Dhërmiut, Himarës, Borshit dhe Sarandës.
Këtë e ka bërë të ditur INSTANT, sipas monitorimeve që ka bërë Ministria e Mjedisit në Shqipëri. Raportet e monitorimit përfshijnë shumë pika, duke nxjerrë me ndotjen më të lartë plazhet e Durrësit.
Durrësi ka vetëm 1 plazh me cilësi të lartë, 7 plazhe me cilësi të mirë, 4 plazhe me cilësi të mjaftueshme, por për 9 plazhe të tjera, situata paraqitet emergjente me superndotje, raporton INSTAT, përcjell albinfo.ch.
Më tutje në radhë vjen Vlora, e cila ka 5 plazhe me cilësi të lartë, 1 plazh me cilësi të mirë dhe 4 plazhe me cilësi shumë të ndotur dhe kërkohet ndërhyrje emergjente. Në plazhet e tjera të vendit, situata është më normale.
Të dhënat për cilësinë e ujërave në plazhet e Shqipërisë u referohen matjeve të përsëritura në të gjitha plazhet detare. Këto të dhëna i referohen kryesisht përmbajtjes së kolonive të baktereve me origjinë nga shkarkimet në ujërat detare dhe lumenjve.
Treguesit për cilësinë e ujërave larës në këtë botim janë administrativë dhe japin vlerat mesatare të përmbushjes së standardeve cilësore të ujërave në plazhin përkatës referuar standardeve të cilësisë, vendosur nga OBSh. Treguesit e cilësisë së ujërave larës në plazhet e Shqipërisë kanë qëndruar përgjithësisht në të njëjtat nivele, me cilësi të shkëlqyer ose të mirë në 85,0% të tyre.
Shqipëria ende nuk e ka zgjidhur problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza në plazhe, teksa numri i turistëve që zgjedhin Shqipërinë të pushojnë po rritet nga viti në vit me ritme dyshifrore.