Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot, ku ndër të tjera, pikë e rendit të ditës do të jetë edhe miratimi i masave të reja anti-Covid.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në një konferencë për media, Vitia tha se në koordinimin me ministritë e linjës dhe me institucionet përkatëse shëndetësore kanë vendosur për masa të reja në vend, nga e hëna e javës së ardhshme.
“Nga rekomandimet e dy javëve paraprake kemi pasur shumë takime dhe diskutime për masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 27 shtator, pra nga e hëna e ardhshme. Sot kemi marrë edhe rekomandimet e fundit nga IKSHPK-ja, për këto masa”, ka thënë Vitia.
Ministri Vitia njoftoi se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.
“Shkollat dhe çerdhet do të fillojnë punën nga dita e hënë. Maksimumi i nxënësve të ledhuar në klasë do të jetë 20. Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.