Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një konference për media ka prezantuar vendimet të cilat do të hyn në fuqi më 15 prill, për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.
Këtu i gjeni të gjitha vendimet:
I. Prej datës 15 prill 2020, në orën 17:00, ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komuna, përveç rasteve në vijim:
(a) Për personat fizikë mbi moshën 16 vjeçare lejohet qarkullimi për furnizim me mallra të domosdoshme (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë dhe produkte higjienike) dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare (pagesat, punët bankare), për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar ditor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Për shtetasit e huaj që nuk posedojnë numrin personal të Republikës së Kosovës, orari i lejuar i daljes përcaktohet bazuar në shifrën e parafundit të numrit të pasaportës.
(b) Gjatë qarkullimit të personave fizikë për furnizim me mallra të domosdoshme, nuk lejohet shoqërim nga asnjë person tjetër, përveç në dy raste:
(1) personat me aftësi të kufizuara, të cilët mund të shoqërohen vetëm nga një anëtar tjetër i së njëjtës bashkësi familjare, apo nga një asistent i posaçëm mjekësor dhe
(2) personat nën moshën 16 vjeçare, me kusht që të jenë të shoqëruar nga një anëtar i së njëjtës bashkësisë familjare me të njëjtin shtëpive/banesave.
(c) Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të COVID-19 ndaj personave në moshë rekomandohen personat mbi moshën 65 vjeçare që të mos dalin nga shtëpia/banesa përveç në raste urgjente dhe të domosdoshme.
Duhet theksuar se shumica e qytetarëve do të kenë vetëm këtë mundësi të dalin nga shtëpia, një herë në ditë, për 1 orë e gjysmë, për të kryer furnizimin me mallra te domosdoshme, si dhe detyrat dhe nevojat financiare.
Megjithatë, për te ruajtur funksionimin e administratës shtetërore dhe veprimtari esenciale të ekonomisë, jemi pajtuar të bëjmë disa përjashtime.
(d) Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e operatorëve ekonomikë, mundësohet:
(1) qarkullimi i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucionet të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I i këtij vendim. Kjo do të bëhet publike dhe do të njoftohen të gjithë ata operatorë ekonomik që ju lejohet një gjë e tillë.
(2) transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në prodhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpërndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim.
(e) Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, lejohet qarkullimi i lirë për “stafin esencial” të institucioneve shtetërore.
(f) Vetëm për të kryer detyrat zyrtare, lejohet qarkullimi i lirë i institucioneve në listën e bashkëngjitur si Aneksi II i këtij vendimi.
(g) Në raste urgjente të shëndetësisë, lejohet dalja nga shtëpia/banesa për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor.
(h) Lejohet qarkullimi për personat fizikë në raste ku është rreptësishtë i domosdoshëm për t’u kujdesur për një ose më shumë të sëmurë, ose për një ose më shumë persona me aftësi të kufizuara.
(i) Ndalimi i qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre nuk zbatohet në raste të viktimave të dhunës familjare. Viktimave të dhunës familjare u lejohet të dalin nga shtëpive/banesave të tyre për të kërkuar strehim në një lokacion alternativ.
(j) Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpitë/banesat për çfarëdo arsye tjetër përveç për arsyet e lartcekura, duke përfshirë takime shoqërore, vizita familjare, etj.
II. Për Komunat që janë në karantinë apo që do të vendosen në të ardhmen bazuar në rekomandimet e IKSHP-së, do të ndalohet hyrje-dalja nga Komunat përveç në këto raste:
(a) Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer transportin e mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në prodhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpërndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim. Përveç për kryerjen e transportit të mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, hyrje-dalja nga Komuna e nuk u lejohet operatorëve ekonomikë, as punëtorëve të tyre.
(b) Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve shtetërore, për “stafin esencial” të këtyre institucioneve.
(c)
III. Gjatë qarkullimit të lejueshëm sipas përjashtimeve të parashikuara me pikat I dhe II më lart, personat fizikë obligohen:
(a) të mbajnë të mbuluara gojën dhe hundën, përmes maskës, shallit, apo ndonjë mbulese tjetër;
(b) në çdo kohë, të ruajnë distancë prej dy metrash nga persona të tjerë.
IV. Prej datës 14 prill, ndalohet qarkullimi i automjeteve në Komuna përveçse ne disa raste te rralla:
(d) Me leje të veçantë dhe vetëm për të kryer nevojat e operatorëve ekonomik, mundësohet:
(1) qarkullimi i automjeteve për operatorët ekonomik dhe institucionet të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I i këtij vendim.
(2) transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në prodhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpërndarja dhe shitja te konsumatori i fundit — për veprimtaritë e lejuara sipas dhe institucioneve të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneksi I në këtë vendim.
(a) Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve shtetërore, lejohet qarkullimi i lirë i automjeteve për stafin esencial.
(b) Lejohet qarkullimi i automjeteve vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, të parapara në listën e bashkëngjitur si Aneks këtij vendimi.
(c) Lejohet qarkullimi i automjeteve për personat me aftësi të kufizuara.
(d) Në raste urgjente të shëndetësisë, lejohet lëvizja me automjet për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor.
(e) Përveç në raste emergjente dhe për personat me aftësi të kufizuara nuk lejohet më shumë se një (1) pasagjer në automjet.
(f) Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpia/banesa për çfarëdo arsyeje tjetër përveç për arsyet e lartcekura.
Mosrespektimi i masave të përcaktuara në këtë vendim konsiderohet, sipas ligjit, si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1,000 Euro deri në 2.000 Euro gjobë për personat fizikë dhe prej 3,000 Euro deri në 8.000 Euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet prej 500 Euro gjobë deri me 1,500 Euro.
Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe i njëjti vlen deri më 4 maj 2020. Me hyrjen në fuqi të këtij Vendimi, shfuqizohet çdo dispozitë e mëparshme që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij Vendimi.
Ky vendim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë do të rishqyrtohet në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertët dhe ministritë e tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe për të vendosur për vazhdimin ose jo të masave përkatëse.