Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar me 950 euro gjobë për shkak të vendosjes së panove të kandidateve të kësaj partie në rrugën publike, përkatësisht fshati Bibaj, Ferizaj.
PZAP ka shqiptuar këtë gjobë duke u bazuar nën nenin për zgjedhje lokale që përcakton veprimet e ndaluara të partive gjatë fushatës zgjedhore, përcjell Indeksonline.
Gjobë i është shqiptuar edhe Aleancës Kosova e Re. AKR, dega në Prishtinë është dënuar me gjobë prej 600 euro për shkak të vendosjes së banerit në shtylla eletrike mbi rrugë publike tek Qendra e Mjekësisë Familjarë në Mitrovicë.
“Me datën 25.09.2017, PZAP-i ka pranuar një ankesë nga IDK me të cilën preton se me datën 25.09.2017, në Qendrën e Mjekësisë Familjarë në Mitrovicë, monitoruesit e tyre kanë hasur në baner nga Aleanca Kosova e Re, të vendosur në Shtylla elektrike mbi rrugë” thuhet ndër të tjerash në këtë ankesë.
AKR e ka pranuar këtë ankesë, duke u arsyetuar se shkelja nuk ka qenë e qëllimshëm dhe se është bërë pa dijeninë e strukturave partiake dhe përgjegjëse për fushatë, shkruan Indeksonline.
Pa gjoba nuk ka mbetur as Nisma për Kosovën. Ky subjekt politik është dënuar më gjobë në vlerë prej 500 euro.
Ky dënim ju është dhënë për shkak se në rrugën Ahmet Kaqiku në Ferizaj, është vendosur posteri i kandidatit për kryetar komune dhe i kandidatëve për asamble komunale të Ferizaj nga subjekti politik Nisma për Kosovë.
Partitë që janë dënuar kanë kohë 15 ditë ta paguajnë gjobën nga dita e pranimit të këtij vendimi.