Kevin Spacey lirohet nga akuza për sulm seksual

Prishtinë | 19 Kor 2019 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Aktori 59-vjeçar amerikan Kevin Spacey më në fund është liruar nga akuza për sulm seksual ndaj 18-vjeçarit në një bar në Nantucket, njofton CNN. Sulmi i supozuar kishte ndodhur më shumë se tre vjet më parë, ndërsa rasti është përmbyllur vetëm tani. Aktori u akuzua se e kishte dehur viktimën (atëherë të mitur) dhe më vonë kishte filluar ta prekte. Deri tek anulimi i rastit erdhi pasi që paditësi refuzoi të dëshmojë javën e kaluar.

Ai duhej të dëshmonte se ku ndodhej telefoni mobil përmes, të cilit ai i dërgonte mesazhe dhe video të shkurtra të dashurës së tij gjatë sulmit të supozuar, shkruan KOHA Ditore. Bëhet fjalë për një provë kyç për të gjithë rastin, ndërsa kur gjyqtari kërkoi që t’ia dorëzonte gjykatës për hetim të detajuar, paditësi tha se nuk e dinte se ku ishte. Kështu, situata përfundoi në favor të aktorit, me ç’rast ai e shmangi një dënim të mundshëm deri në pesë vjet burgim.

T’ju rikujtojmë, aktori i famshëm është një nga shumë meshkujt në botën e të akuzuarve të famshëm për ngacmim seksual, ndërkohë që vala e akuzave filloi me akuzën e parë kundër producentit të filmit Harvey Weinstein, në vitin 2017. Kundër Spaceyt hetimet filluan kur, në tetor të vitit 2017, aktori Anthony Rapp e akuzoi atë për përpjekje për ta joshur në vitin 1986, kur Rapp ishte vetëm 14 vjeç. Spacey në atë kohë kërkoi falje për sjellje të keqe, por gjithashtu humbi shumë role dhe mundësi pune.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme