“KFOR-i gjithmonë ka vepruar paanshëm për ruajtjen e sigurisë”

Prishtinë | 20 Gus 2016 | 12:02 | Nga

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta, realizoi një seri të takimeve lamtumirëse me zyrtarë të bashkësisë ndërkombëtare.

Në zyrat dhe selitë e tyre përkatëse, Gjenerali Miglietta, si pjesë të angazhimeve në fund të mandatit të tij trembëdhjetë muajsh në Kosovë, takoi kreun e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ushtruesin e detyrës së kreut të EULEX-it, Bernd Thran, kreun e Misionit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger, dhe Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm dhe kreun e UNMIK-ut Zahir Tanin.

Të gjithë këta zyrtarë të lartë shprehën mirënjohjen për bashkëpunim të frytshëm dhe shumë të ngushtë me KFOR-in në përmbushjen e sfidave të ndërsjella gjatë trembëdhjetë muajve të kaluar.

Ata u pajtuan se asistenca e vazhdueshme dhe bashkëpunimi i ndërsjellë ishin organizuar në baza të rregullta për ruajtjen e atmosferës paqësore dhe pozitive.

U theksua në veçanti se KFOR-i gjithmonë kishte vepruar në mënyrë të paanshme brenda Kosovës në ruajtjen e mjedisit të qetë dhe të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për tërë popullin e Kosovës.

Zyrtarët kryesor që përfaqësojnë bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë janë vizitorë të rregullt të KFOR-it për t’u njoftuar në hollësi për situatën e tanishme gjeopolitike dhe të sigurisë në rajon.

Këto takime janë shumë të dobishme për forcimin e marrëdhënies me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe luajnë rol të vazhdueshëm dhe vital në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme