Sikurse Qeveria e Kosovës, edhe KFOR ka bërë të ditur se aksioni i Policisë së Kosovës në veri nuk është i drejtuar kundër serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime.
Sipas KFOR-it, aksioni i Policisë së Kosovës është kryer me urdhër të Prokurorisë në Prishtinë.
“Operacioni i Policisë së Kosovës po zhvillohet me urdhër të Prokurorit në mbarë Kosovën, jo vetëm në veri dhe jo drejtuar kundër serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Graso për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, një gjë e tillë ishte thënë paraprakisht edhe nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se si kryeministër i vendit, konfirmon se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër.
Lidhur me këtë aksion të policisë kanë ardhur edhe reagime nga Serbia.
Ndër reagimet e para ka qenë edhe ai i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas mediave ka urdhëruar njësitë ushtarake të jenë në gjendje gatishmërie.
Gjithashtu, është raportuar se Ministria e Brendshme ka vënë në gjendje të plotë gatishmërie njësinë e policisë speciale.
Megjithatë, përveç këtyre, mediumi serb Blic.rs raporton se presidenti Vuçiq ka një takim edhe me Këshillin për Sigurinë Kombëtare.