Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka zbuluar arsyen pse mbrëmë një helikopter fluturoi mbi komunat veriore të Kosovës.
Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Vincenzo Grasso ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll.
Ai ka shtuar se nuk ka arsye për frikë pas fluturimit të helikopterit të KFOR-it mbrëmë mbi Mitrovicë, në Zveçan dhe një pjesë të territorit të Zubin Potokut.
Grasso për të përditshmen serbe “Politika” ka thënë se sipas informacioneve të KFOR-it nuk ka rrezik nga kriza humanitare në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe shtoi se një retorikë e tillë nuk ndihmon në normalizimin e jetës.
“Fluturimi i mbrëmshëm i helikopterit ka qenë një lëvizje e zakonshme sepse ishte momenti i ndërrimit të tyre. Nuk ka arsye për frikë”, u shpreh Grasso.
“Nuk ka ndryshime në strukturën e KFOR-it dhe gjithçka është duke shkuar në rrjedhë normale”, shtoi ai. Grasso ka theksuar se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll.
“Asgjë e papritur nuk mund të ndodh dhe KFOR vazhdon të zhvillojë komunikim me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe Serbi”, tha zëdhënësi i KFOR-it.