Brigada e Zjarrfikësve të Mitrovicës Veriore pranoi një donacion nga KFOR-i i cili përbëhet nga një set pajisjesh që do të rrisin aftësitë e tyre për të ofruar siguri në fushën e tyre të përgjegjësisë.
Vegla mbrojtëse, shkallë, tuba, pompa dhe një sharrë elektrike u dorëzuan nga një ekip i KFOR-it në njësinë e Brigadës së Zjarrfikësve të Mitrovicës së Veriut, në mbështetje të aktiviteteve të tyre për të mbrojtur popullsinë lokale nga zjarri dhe rreziqet e mjedisit.
Projekti “Pajisjet për shuarjen e zjarrit” u zhvillua nga Njësia për Bashkëpunim Civil-Ushtarak i KFOR-it në koordinim të ngushtë me Ekipin Ndërlidhës dhe Këshillues K2 të KFOR-it dhe Kryetarin e Mitrovicës së Veriut, si dhe u implementua nga Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje.
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal Adrijana Hoxhiq – e cila ndoqi ceremoninë së bashku me kryetarin e Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq- e falënderoi KFOR-in për mbështetjen që u është dhënë të gjitha komunave dhe theksoi se si “mbështetja e KFOR-it është në harmoni me përpjekjet në dobi të Brigadës lokale të Zjarrfikësve nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.”
Kryetari Rakiq e vlerësoi lartë donacionin dhe shprehu kënaqësinë e tij duke thënë se “miqësia dhe respekti i ndërsjellë po vazhdon” dhe se “ky donacion nga KFOR-i do të përmirësojë aktivitetet e përditshme dhe kushtet e punës së zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut”.
KFOR-i është i përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe ndihmon në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve lokale të sigurisë përmes projekteve dhe donacioneve të cilat mund të përmirësojnë të ardhmen e popullatës.