KFOR-i ia kujton Vuçiqit, aksioni policor në veri është paralajmëruar para 10 ditësh

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i  KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka thënë se të gjithë kanë qenë të informuar për aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ai ka rikujtuar se para rreth dhjetë ditësh në mediat serbe janë publikuar lajmet dhe deklaratat që paralajmëronin qëllimin që në Kosovë të arrestohen 26 policë, ka thënë ai.

“Kushdo që i ka lexuar ato lajme, ka qenë i informuar”, i ka thënë Grasso gazetës së Beogradit “Politika”, në lidhje me konstatimin se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka demantuar deklaratën e tij se të gjithë kanë qenë të informuar, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se pardje nuk ka pasur aktivitete të drejtuara kundër serbëve, porse “bëhet fjalë për njësi legjitime policore që po kryenin operacionin, që ka rezultuar me arrestimin e civilëve dhe të policëve përkatësish të ndryshme kombëtare”.

“Do të thotë se nuk ka pasur konflikte ndërnacionale”, është shprehur Grasso.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ka thënë Grasso, është ftuar të ndërhyjë, meqë ishte vendosur barrikadë në rrugë.

“Nuk ka pasur arsye që të reagojë KFOR-i ndaj operacionit policor, që kishte për qëllim luftimin e krimit, një punë për të mirën e të gjithëve”, është shprehur.

Zëdhënësi Grasso u ka bërë “thirrje të gjithëve që të përmbahen nga retorika dhe provokimet, jo vetëm politikanët dhe jo vetëm serbët”.

“Pardje gjatë gjithë kohës së operacionit kemi pasur komunikim të mirë me të gjitha institucionet relevante lokale e ndërkombëtare, përfshirë edhe Ushtrinë e Serbisë”, ka thënë Grasso, duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit , sipas të cilit nuk u është përgjigjur thirrjeve nga Beogradi.

“Njerëzit nuk duhet të humbin besimin në KFOR-in, ne jemi këtu që të ndihmojmë dhe këtë po e bëjmë në mënyrë të paanshme”, është shprehur Vincenzo Grasso, transmeton Koha.net.

Ndërkaq Vuçiq, përmes një prononcimi në TV Pink, so deklaroi se “ia kam tërhequr vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare dhe njerëzve tanë se do të ndodhë kjo që ndodhi. Natyrisht këtë e ka publikuar shtypi. Por kjo nuk do të thotë se dikush na ka njoftuar për këtë, se kemi qenë të informuar, porse këtë e ka bërë publike presidenti Vuçiq”. Këtë deklaratë Vuçiq e bëri duke i reaguar zëdhënësit të KFOR-it, Vincenzo Grasso, i cili ka thënë se të gjithë ata që e kanë lexuar shtypin kanë qenë të informuar për aksionin e policisë në Kosovë.

“Unë, në cilësinë e presidentit të Republikës kam tërhequr vërejtjen për skenarin në Kosovë, ndërsa ai që është dashur ta pengojë nuk e ka bërë këtë, meqë janë shtirë sikur nuk e dinë se kjo nuk ka kurrfarë lidhjeje në esencë me korrupsionin e krimin”, është shprehur Vuçiq.

Koha.net rikujton se Vuçiq u tha deputetëve të Kuvendit të Serbisë, kur po raportonte para tyre për çështjen e Kosovës, një ditë para aksionit, se është në dijeni të një aksioni që do të ndërmarrë Policia e Kosovës në veri për t’i trembur serbët dhe për t’ua bërë qëndrimin e jetën të pasigurt.

Image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme