Kontingjenti italian i KFOR-it, në bashkëpunim me Federatën e Ping-Pongut të Kosovës (FFPK), do të organizojnë një turnir të ping-pongut në Pejë, që u tha se ka qëllim promovimin e paqes dhe sigurisë përmes sportit.
Turniri, pjesë e së cilit do të jenë 16 lojtarë, nga KFOR-i italian dhe nga Federata e Pingpongut të Kosovës, do të mbahet të martën në bazën e KFOR-it italian në Pejë.
Iniciator i këtij aktiviteti është Giancarlo Paglia, një ish-pjesëtar i KFOR-it, aktualisht këshilltar në Ministrinë e Mbrojtje së Italisë dhe përfaqësues i Federatës Italiane të Ping-Pongut, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë me medie, mbajtur në bazën e KFOR-it italian në Pejë, Paglia tha se në misionet në të cilat ka marrë pjesë më herët në Kosovë kanë arritur që ta bashkojnë rininë pavarësisht etnive që i kanë takuar.
Ai tregoi se aktivitete të ngjashme do të mbahen edhe në vende të tjera, si në Liban, ku ka një prezencë të forcave italiane.
“Nuk është rastësi pse po fillojmë me Kosovën, sepse unë jam i lidhur personalisht me këtë vend sepse kam pas mundësi të vij në mision këtu në vitin 2004. Përkundër skepticizmit, në fund kemi arritur që të bëjmë të rinjtë të rrinë bashkë, të luajnë, të bisedojnë, pavarësisht etnive”.
Ndërsa, Gioacchino Alfano, nënsekretar i Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë, tha se përmes këtij aktiviteti dëshirojnë të përçojnë mesazhe për paqe dhe bashkëpunim mes njerëzve, pavarësisht etnive.
“Po realizohet një ide e Paglias, e përgatitur e gjitha nga ai. Asgjë nuk duhet të jetë pengesë që të ndalojë njerëzit të jenë njëri pranë tjetrit”, u shpreh Alfano.
Ai shtoi se pret që dita e nesërme të jetë një ditë e frytshme për të gjithë pjesëmarrësit.
E Nehat Çitaku, kryetar i Federatës së Pingpongut të Kosovës, tha se pjesëmarrësit nga kjo federatë do të jenë të etnive të ndryshme: shqiptarë, serbë, boshnjakë e turq
“Në këtë mënyrë do të shprehim mundësinë që përmes këtij bashkëpunimi të dërgojmë mesazhin e sportit dhe paqes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”.
“Federata e Ping-Pongut është federata e parë e pranuar ndërkombëtarisht në vitin 2003 dhe kemi qenë federata e vetme që ka pasur të drejtën të garojë në të gjitha garat evropiane dhe ndërkombëtare”.
Ai shfaqi besimin se ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të bëhet tradicional.
Turneu do të fillojë në ora nëntë dhe do të zhvillohet në bazat e KFOR-it italian në Pejë.