Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) më 19.09.2025 njoftoi se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka shpallur zonën operacionale të KEK si zonë të ndaluar për fluturime (No Flight Zone), si masë për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike të vendit.
Në një përgjigje për KALLXO.com më 01.10.2025, KFOR bëri të ditur se kjo masë është marrë pas shpërthimit të ndodhur më 29.10.2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, aset kyç për furnizimin me ujë të disa qyteteve dhe vetë KEK-ut.
“Pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, KFOR ka ndërmarrë hapa për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë në Kosovë”- thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Sipas këtij misioni, një nga masat e ndërmarra është kufizimi i fluturimeve mbi Korporatën Energjetike të Kosovës. Derisa, përjashtim nga këto kufizime bëjnë vetëm rastet emergjente.
“Kufizimet e fluturimeve vlejnë për gjithë trafikun ajror të përgjithshëm në hapësirën e ulët ajrore, megjithatë ka përjashtime në rastet e emergjencës”- tha më tej KFOR.
KFOR rikujtoi se komandanti i misionit ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999.
Korporata Energjetike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin, duke e cilësuar si një veprim të rëndësishëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.
“Ky hap përfaqëson angazhim të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes”- thuhet në komunikatën e KEK-ut.
Sipas KEK-ut, objektet e saj përbëjnë themelin e furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit dhe për këtë arsye kërkojnë mbrojtje të shtuar.
Shpërthimi i ndodhur më 29.11.2024 shkaktoi dëmtime serioze në kanalin e Ibër-Lepencit, duke rrezikuar furnizimin me ujë të shtatë komunave në jug dhe veri të lumit Ibër: Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kishte deklaruar se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
Menjëherë pas sulmit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera, ku nga 10 persona të shoqëruar në polici, dy prej tyre u ishte caktuar masa e ndalimit.
“Me këtë rast në Stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Më 11.09.2025, gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 2 muaj të pandehurve Dragisha Viqentijeviq dhe Jovan Viqentijeviq, të dyshuar për sulmin në kanalin e ujit të kompanisë “Ibër-Lepenc”.
Kanali Ibër-Lepenc, nga Liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë, është jetik për furnizimin me ujë të termoelektranave Kosova A dhe B, industrive si Trepça dhe Ferronikeli, si dhe për ujësjellësit dhe bujqësinë në disa komuna në veri dhe jug të Kosovës.
Për shpërthimin në kanal, autoritetet e Kosovës kanë fajësuar Serbinë, duke e cilësuar aktin si sulm terrorist. Serbia i ka mohuar akuzat, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dënuar fuqishëm incidentin, duke kërkuar që autorët të përballen me drejtësinë.