​KFOR zhvillon ushtrim të madh në Bondsteel, simulohet emergjencë me viktima të shumta

Prishtinë | 04 Sht 2026 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Personeli shumëkombësh i Komandës Rajonale Lindje (RC-E), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, ka zhvilluar një ushtrim të integruar për mbrojtjen e bazës dhe menaxhimin e një situate me viktima të shumta në Kampin Bondsteel.

Sipas KFOR-it, ushtrimi kishte për qëllim testimin e aftësisë së pjesëtarëve për reagim të shpejtë ndaj kërcënimeve të simuluara dhe emergjencave në shkallë të gjerë.

Në ushtrim u përfshinë pjesëtarë të forcave shumëkombëshe, personel mjekësor, zjarrfikës dhe mjete të aviacionit. Ata praktikuan procedurat për mbrojtjen e forcës, transportimin e të lënduarve, trajtimin dhe evakuimin e tyre.

KFOR-i tha se trajnimi i përbashkët ka forcuar ndërveprueshmërinë ndërmjet njësive dhe ka rritur gatishmërinë për reagim ndaj situatave komplekse emergjente.

Misioni i NATO-s në Kosovë theksoi se vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë dhe në lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i shtoi se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.

Të ngjashme