Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha dje se me vendimin për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton që ta sulmojë Serbinë, shkruan Gazeta Express.
Nga KGJK-ja po thonë që ky vendim është marrë pa asnjë ndikim politik. KGJK u ka bërë thirrje insitucioneve dhe zyrtarëve publik që të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi sipas tyre çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur.
“Me këtë rast, KGJK thekson se, Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, znj.Stevanović. Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhet në reagimin e KGjK-së.
Në ndërkohë dje, nëpërmjet një videoje të shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka folur për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për suspendimin e Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës. Ai tha se me shkarkimin e gjykatëses serbe, Kurti ka sulmuar Serbinë.
Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Serbisë, bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq, ka thënë se me urdhër të Albin Kurtit, Biljana Stefanoviq është hequr nga pozita e saj si gjykatëse. E sipas tij, planifikohet edhe shkarkimi i zyrtarëve policorë që kanë marrë pjesë në takimin e Këshillit në Beograd.
“Me urdhër të Abin Kurtit, Biljana Stefanoviq është hequr nga institucionet e Kosovës si gjykatëse serbe. Përjashtimi i të gjithë komandantëve dhe zyrtarëve serbë të policisë që morën pjesë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, është përgatitur për mëngjes (e premte)”, ka thënë ai.
Sipas tij, me këtë veprim Kurti ka vendosur ta sulmojë Serbinë.
“Kurti ka shkelur marrëveshjet e Brukselit dhe sipas tij dhe të tjerëve që e mbrojnë atë, marrëveshjet e Brukselit më nuk ekzistojnë. Kurti është ai që dëshiron ta prishë paqen në Kosovë. Me vendime të tilla, ai dëshiron që t’i sulmojë qytetarët serbë aty ku ata jetojnë”, ka thënë ai.
Njoftimi i plotë i KGJK-së:
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton opinionit publikë, se në mbledhjen e 281-të ka vendosur për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nga pozita e saj si kryetare. Ky Vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për Kryetar të Gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve.
Me këtë rast, KGJK thekson se, Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, znj.Stevanović.
Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur.