Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 219-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skënder Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.
Këshilli, filloi takimin me shqyrtimin e propozimit të Kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, për caktimin e ushtruesit të detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq ku edhe caktoi si ushtruese të detyrës së gjyqtares mbikëqyrëse gjyqtaren e kësaj Gjykate, Zllata Vukašinović. Gjithashtu, Këshilli mori vendim për shpalljen e konkursit për Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Leposaviq.
Anëtarët e Këshillit u njoftuan nga Departamenti të Administratës së Përgjithshme të Sekretariatit të KGJK për pensionimin e tre gjyqtarëve dhe morën vendim që të njëjtit të dërgohen tek Presidenti për lirim nga detyra.
Në vijim të takimit, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi listën e gjyqtarëve për të qenë pjesë e listës së Gjyqtarëve në Panele Hetimore, siç parashihet me Ligjin Nr. 06/L- 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Anëtarët e Këshillit në pajtim me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve votuan Panelin Hetimor prej 25 anëtarëve e që kanë mandat një (1) vjeçar. Ndërsa, dy panelet hetimore që u formuan me nga 24 gjyqtarë kanë mandat, njëra dy (2) vjeçar, e tjetra tre (3) vjeçartë cilët u zgjodhën sipas shortit.
Po ashtu, Këshilli shqyrtoi draft –Udhëzimin Administrativ për Ndarjen e Përgjegjësive të SKGJK dhe të Gjykatave në çështjet e Personelit, Buxhetit dhe Financave, Logjistikës dhe Prokurimit.
Ndërsa, vendimi i radhës ishte lidhur me transferimin e stafit të ZPD-së, ku Këshilli mori vendim, që stafi i ish Zyrës së Prokurorit Disiplinor të transferohet në njësinë organizative të administratës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe gjykatave të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi kërkesën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) për vazhdimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet KGJK-së dhe QKRMT-së, si dhe autorizoi Kryesuesin e KGJK-së për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit.
Sipas rekomandimeve të Panelit për Shqyrtimin e Aplikacioneve për pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Supreme të Kosovës, Këshilli votoi gjyqtaren Mejreme Memaj.