Khamenei: Sanksionet amerikane janë akt kriminal

Prishtinë | 08 Shk 2020 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Lideri suprem i iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të shtunën se sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit janë akt kriminal.

“Këto sanksione janë akt kriminal, por ne mund t’i shndërrojmë ato në mundësi duke e distancuar ekonominë e Iranit nga varësia prej eksporteve të naftës”, citohet të ketë thënë lideri suprem për televizionin shtetëror.

Ai shtoi se Irani nuk paraqet kërcënim për asnjë shtet tjetër dhe se Teherani është i vendosur që ta garantojë sigurinë e vet, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

“Irani nuk paraqet kërcënim për asnjë vend tjetër. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurohemi që siguria jonë është e garantuar”, deklaroi Khamenei para një grupi të komandantëve të Forcave Ajrore.

Prej largimit të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, Shtëpia e Bardhë e ka goditur rëndë republikën islamike me sanksione ekonomike në eksportet e naftës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme